Lidhje

Largimi i Tiger Woods dhe humbjet e industrisë së golfit


Firma e konsulencës Accenture tha se lojtari i famshëm i golfit Tiger Woods nuk është më përfaqësuesi i duhur për të dhe i dha fund kontratës me Woods. Ajo pason kompaninë Gillete e cila e hoqi sportistin nga fushatat e reklamave tani për tani pas situatës personale në të cilën gjendet kampioni i golfit.

“Ajo që bën më pas ka rëndësi”, thotë reklama e firmës Accenture. Këto ditë kjo mund të përkthehet si paralajmërim për Tiger Woods. Accenture vendosi çfarë do të bëjë më pas. Firma globale e konsulencës e hoqi Woods-in nga kontrata e tij gjashtë vjeçare e reklamave.

Atleti më i paguar në botë të premten pranoi se kishte pasur marrëdhënie jashtëmartesore dhe njoftoi se po shkëputet për një kohë të pacaktuar nga golfi për t’u përqëndruar pranë familjes. Kjo pason akuzat e bërë nga disa gra që thonë se kanë patur marrëdhënie seksuale me të.

Llogaritet se mungesa e tij mund t’i kushtojë industrisë së golfit 591 milionë dollarë humbje. Publicisti britanik Max Clifford thotë se golfi ka nevojë për Tiger Woods shumë më tepër sesa Tiger Woods ka nevojë për golfin.

Shifrat e vërtetojnë këtë. Në tetor, revista Forbes e cilësoi Woods atletin e parë që ka fituar një miliardë dollarë. Ai fiton 110 milionë dollarë në vit. Por vetëm një e katërta e kësaj shume vjen nga ndeshjet e golfit, pjesa tjetër nga kontratat e reklamave.

Lojtari tjetër i golfit John Daly thotë se Woods duhet të kthehet në lojë.

"Golfi ka nevojë për të. Në këto kohë të vështira ekonomike ne po mundohemi të gjejmë sponsorizues për lojën tonë në mbarë botën. Pa Tiger Woodsin situata bëhet edhe më e vështirë."

Përveç kompanisë Acenture, Gillete vendosi të kufizojë rolin e Woodsit në kontratën prej 5 milionë dollarësh në vit me të. AT&T po shqyrton kontratën që ka me të. Analistët financiarë thonë se vendimet këtyre kompanive gjigande mund të kenë një efekt domino mbi kompani të tjera.

Bob Garfield, redaktor i revistës Advertising Age, thotë se kompanitë vërtet mund t'i shkëpusin lidhjet e tyre me golfistin e artë, tani që Woods do të largohet për ca kohë nga sporti. Por kjo, thotë ai, do ta çonte industrinë e golfit në greminë. //ii

XS
SM
MD
LG