Lidhje

Obama: Senati pranë miratimit të reformës shëndetësore


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se mbeten mospajtime në propozimin final për reformën e kujdesit shëndetësor, por se ai ka besimin se vendi është në prag të një arritje që ka tunduar administratat e mëparshme.

Presidenti thotë se propozimi për reformën shëndetësore në formën e tanishme nuk e rrit defiçitin, mbulon 30 milion amerikanë që nuk kanë siguracion shëndetësor si dhe fut në zbatim reforma të posaçme në fushën e kujdesit shëndetësor.

Zoti Obama tha se ligji përfundimtar nuk do të përmbushë dëshirën e secilit por mospajtimet individuale nuk nuk duhet të pengojnë miratimin e projekligjit.

Presidenti Barak Obama thotë se Senati amerikan është më pranë se asnjëherë miratimit të legjislacionit për reformimin e kujdesit shëndetësor. Presidenti foli për shtypin pas takimit që pati në Shtepinë e Bardhë me senatorë demokratë.

Presidenti thotë se ekzistojnë disa mospajtime mes demokratëve por ai thotë se është optimist që ligjvënësit nga partia e tij do të bien dakord me legjislacionin mbi kujdesin shëndetësor.

"Nga diksutimet që patëm, është e qartë se jemi në pragun e një arritje për të cilën janë munduar presidentë dhe kongrese për gjenerata me radhë." - tha presidenti

Senatori i pavarur Joe Lieberman i cili zakonisht voton sëbashku me demokratët, ka kërcënuar se nuk do ta votojë projekrezoluten. Lieberman tha të dielën se ai do të votonte me republikanët kundër projekligjit nëse përfshinte një propozim për zgjerimin e planit qeveritar për të moshuarit.

Sipas njoftimeve, demokratët janë gati të heqin atë pjesë të legjislacionit, por zoti Obama tha se projekligji do të përfshijë edhe planin qeveritar për të moshuarit.

"Ky plan do të forcojë variantin qeveritar për të moshuarit dhe do të zgjasë jetën e atij programi. Meqënëse plani redukton humbjet dhe paefektshmërinë në sitemin shëndetësor, ky do të jetë plani më i madh në 10 vjet që redukton defiçitin."

Zoti Obama ka thënë se nëse demokratët nuk e miratojnë shpejt planin për reforminin e kujdesit shëndetësor, ky shans nuk do të përsëritet më kurrë. Presidenti gjithashtu thotë se situata e kujdesit shëndetësor do të përkeqësohet për shumë ameriakan nëse nuk miratohet me shpejtësi paketa e re.

"Çdo ditë që kalon, edhe 14 mijë amerikan të tjerë humbasin siguracionin e tyre shëndetësor. Një studim i kohëve të fundit tregon se në dekadën e ardhëshme, gjysma e amerikanëve nën moshën 65 vjeçare do të jenë pa siguracion shëndetësor në një moment."

Presidenti Obama e ka bërë reformimin e kujdesit shëndetësor një prioritet të politikës së tij të brendëshme. Miratimi i reformës mund të ndihmojë demokratët në zgjedhjet e vitit 2010 për në kongres. Republikanët e kundërshtojnë me forcë propozimin e presidentit dhe kanë votuar vazhdimisht kundër legjislacionit demokrat për reformën shëndetësore.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm i zhvilluar që nuk ka një plan gjithpërfshirës për kujdesin shëndetësor për të gjithë shtetasit e saj. //mm//


XS
SM
MD
LG