Lidhje

Perspektiva e marrëveshjes në Kopenhagë ende e zbehtë


Gjatë dy javëve të fundit mijëra delegatë kanë zhvilluar takime në qendrën e konferencave në rrethinat e Kopenhagës. Detyra e tyre ishte të hartonin një plan për të trajtuar problemin e ndryshimit të klimës.

Por marrëveshja ende duket e zbehtë. Shumë prej seancave kaluan me një retorikë se kush duhet fajësuar për ngrohjen globale, kush vuan më shumë nga ajo dhe kush duhet të kontribuojë më shumë.

Gjatë fjalimit të tij në konferencë, kryeministri australian Kevin Rad tha se askush nuk ka ardhur në këtë vend me duar të pastërta.

“E vërteta e pashmangshme është se ne, bota e zhvilluar, mbajmë përgjegjësinë historike për akumulimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë në atmosferë.”

Mesazhi i kryeministrit Rad ishte se vendet e zhvilluara duhet të korigjojnë gabimet. Por ai u bëri thirrje edhe ekonomive në zhvillim të kontrollojnë gazet e dëmshme.

Gjatë konferencës mosmarrëveshjet ishin të shumta mes vendeve të zhvilluara, atyre në zhvillim dhe ekonomive në rritje.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton njoftoi një nismë të madhe financimi me premtimin për të kontribuar në një fond global prej 100 miliard dollarësh çdo vit për të ndihmuar vendet në zhvillim në lidhje me ndryshimin e klimës. Por ajo tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse ekonomitë e mëdha bien dakort për reduktimin e gazeve dhe për monitorimin e duhur të zbatimit të tyre. Ajo iu referua qartë Kinës, me të cilën Shtetet e Bashkuara kanë pasur mosmarrëveshje mbi këtë çështje.

Por kryeministri Rad u kujtoi të gjithëve se ky është një problem i përbashkët.

“E vërteta është se nëse ne nuk bashkëpunojmë për këtë problem të përbashkët, mundësia e përparimit do të jetë e kufizuar, sepse planeti vetë nuk do të jetë në gjendje ta përballojë zhvillimin.”

I ngjashëm ishte edhe mesazhi i presidentit francez Nikola Sarkozi, i cili u kujtoi udhëheqësve botërorë se dështimi nuk është alternativë.

Ai tha se të gjithë ata do të duhej të jepnin llogari para opinionit global dhe vendeve të tyre përse kanë dështuar. Shkenca na ka treguar se çfarë duhet bërë, tha ai, dhe ne jemi brezi i fundit që mund ta bëjmë këtë.

Presidenti Sarkozi tha se të gjithë do të duhet të bëjnë kompromise. Ai u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të zgjidhin mosmarrëveshjet.

Shpresat fillestare ishin që konferenca e Kopenhagës do të dilte me një plan pasues të Protokollit të Kjotos të vitit 1997, i cili u kërkon reduktime në çlirimin e gazeve të dëmshme vendeve të zhvilluara. Vendet në zhvillim duan që Kjotoja të zgjatet përtej datës së skadimit në vitin 2012. Udhëheqësit kanë thënë se po përpiqen të arrijnë një kornizë marrëveshjeje në Kopenhagë, dhe të takohen përsëri pas gjashtë muajsh për të diskutuar hollësitë dhe për t’a kthyer atë në një marrëveshje me fuqi ligjore.

XS
SM
MD
LG