Lidhje

Ngecje e debatit për reformën shëndetsore në Senat


Debati për reformën e kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara u shty në Senat nga një ligjvënës i cili kërkoi që një amendamenti i ri prej 767 faqesh të lexohej me zë të lartë në sallë. Senatori republikan Tom Coburn përdori të drejtën e tij për të lexuar me zë të lartë një amendament të paraqitur nga një tjetër ligjvënës. Projekligji në senat po has në vështirësi
dhe ashtu siç ishte paralajmëruar republikanët po përdorin taktika për të shtyrë votimin. Kjo është e drejtë e të gjithë ligjvënësve që zakonisht e anashkalojnë këtë procedurë. Demokratët në Senat kanë nevojë për 60 vota për të siguruar miratimin e projekt ligjit si dhe per te mos u lënë mundësi republikanpve të përdorin forma parlamentare për të shtyrë në pafundësi procesin. Presidenti Obama ndërkohë vazhdon të jetë optimist dhe po i nxit ligjvënësit të kapërcejnë mosmarrëveshjet në mënyrë që reforma të mund të votohet para fundit të vitit. Megjithatë përplasjet për këtë projektligj po vijnë edhe nga vetë demokratët. Kundërshtimi i tij nga ish kreu i partisë demokrate Howard Dean ishte një sprapsje për planin që synon reformimin e sistemit shëndetësor.

Sfida më e madhe e presidentit Barack Obama për miratimin e reformës shëndetësore po vjen nga vetë partia e tij politike.

"Nuk mund të lejojmë mosmarrëveshjet mes elementeve të veçantë të këtij plani të na ndalojnë për përmbushjen e përgjegjësive tona për të zgjidhur këtë problem urgjent për popullin amerikan".

Demokratët në senat nuk po bien dakort për një version përfundimtar të propozimit për kujdesin shëndetësor. Demokratët liberalë thonë se elemetët kritikë si siguracioni publik dhe zgjerimi i programit të kujdesit për amerikanët më të rinj, janë hequr nga projektligji për të marrë miratimin e senatorit Joe Lieberman.

"Ajo që po hartohet është me të vërtetë një arritje historike", tha zoti Lieberman.

Demokratët kanë nevojë për votën e zotit Lieberman për të parandaluar taktikat e shtyrjes së votimit nga republikanët. Por ish kryetari i partisë demokrate Howard Dean thotë se verioni i tanishëm i projektligjit nuk i ndihmon sa duhet amerikanët.

"Mendoj se në këtë pikë projektligji më shumë dëmton sesa ndihmon. Ai lejon kompanitë e siguracioneve të të bëjnë të paguash tre herë më shumë në se je i moshuar krahasuar me kur je i ri. Kjo është ëndra e kompanive të siguracioneve dhe mendoj se i ndihmon ato shumë".

Por demokratët e moderuar dhe presidenti thonë se projektligji do të mbulojë 30 milionë amerikanë pa siguracion duke dhënë shkurtime taksash. Ai do të ndalojë gjithashtu kompanitë e siguracioneve për të mohuar mbulimin në se pacienti vuan nga një sëmundje.

"Në orën 2 e 38 minuta të mëngjesit humba bashkëshorten, pjesën më të madhe të jetës sime".

Dan Brodrick po ndihmon Shoqatën Amerikane të kancerit të nxisë reformën për kujdesin shëndetësor. Gruaja e tij u diagnostikua me kancer dhe vdiq dy vjet më parë. Ai kishte humbur punën dhe ata nuk ishin të siguruar. Ai thotë se do të ishte ndryshe në se ata do të kishin siguracion.

"Ajo do të kishte më shumë shans për të shpëtuar. Sa më shpejt që të kapet kanceri aq më lehtë mund të kurohet".

Por të gjithë republikanët e kundërshtojnë versionin e tanishëm të reformës shëndetësore. Ata thonë se ajo shton shumë defiçitet qeveritare.

Senatori republikan Mitch McConnel. "Nuk duhet thjesht të bëjmë histori. Duhet të bëjmë atë që duhet. Pagesat e larta, taksat e larta dhe kostot e larta të shërbimit shëndetësor nuk janë ato që kërkojnë amerikanët".

Një anketë e re tregon se gjysma e amerikanëve janë të shqetësuar se ndryshimet e propozuara në projektligj do të bëjnë që kostot e shërbimit shëndetësor të ngrihen. Por presidenti Obama thotë se reforma shëndetësore do të ulë deficitin dhe do të pakësojë kostot."Familjet do të kursejnë nga pagesat. Bizneset që do të paguanin më shumë për siguracione do të kursejnë para tani dhe në të ardhmen".

Megjithë këto vështirësi Senati ka në plan të votojë për projektligjin para fundit të vitit. Dhoma e Përfaqësueve e ka miratuar tashmë versionin e vet. Në se projekt ligji miratohet edhe në senat atëhere ligjvenësit e të dyja dhomave, dhomës së përfaqësuesve dhe senatit, duhet të negociojnë një variant kompromisi mes tyre para se projekt-ligji t'i jepet presidentit Obama për miratimin përfundimtar. Megjithatë nuk është e sigurt në se kjo do të ndodhë në afatin kohor që kërkon presidenti. Reforma e sigurimeve shëndetësore është përparësia kryesore e Presidentit Obama në planin e brendshëm.


XS
SM
MD
LG