Lidhje

Bie aktiviteti i shoqatave bamirëse


Stina e festave të dhjetorit në Shtetet e Bashkuara është tradicionalisht një moment kur shumë njerëz dhurojnë para për shoqatat bamirëse. Por anketat tregojnë se me rënien ekonomike, amerikanët nuk po dhurojnë aq shumë këtë vit. Deborah Block e Zërit të Amerikës bisedoi me njërën nga organizatat më të mëdha bamirëse të vendit e cila thotë se donacionet kanë rënë megjithëse nevojat për shërbime bamirësie janë rritur.

Lanny Green qendron jashtë një dyqani ushqimesh në Arlington, një qytezë në periferi të kryeqytetit Uashington. Ai i bie ziles për të mbledhur para për organizatën bamirëse Salvation Army, e cila ka degë në të gjithë botën. Paratë përdoren për të ndihmuar njerëzit në nevojë të atij komuniteti."Jam krenar që e bëj këtë, mendoj se po bëj diçka të mirë."

Ai nuk ka punë dhe banon në një strehë. Shumë njerëz që mbledhin dhurata punojnë vullnetarisht ndërsa të tjerë, si Green marrin një pagesë fare të vogël. "Po kërkoja punë dhe një ditë gjeta organizatën Salvation Army, kështu që vendosa të punoj për ta. Duke ndihmuar të tjerët ndihmoj nga pak edhe veten time."

Shumë amerikanë thonë se megjithatë nuk do të ngurrojnë të japin diçka edhe për organizatat bamirëse gjatë sezonitg të festave.

Por një anketë e organizuar nga Kryqi i Kuq Amerikan, tregon se 20 përqind e amerikanëve do të pakësojnë kontributet e tyre të bamirësisë.

Zoti Green thotë se shumë njerëz shprehin keqardhje që nuk mund të ndihmojnë më shumë. "Disa prej tyre më thonë se nuk kanë punë. Ata gjithmonë dhurojnë për organizatën tonë por tani për tani thjesht nuk kanë para. Disa njerëz japin vetëm disa cent dhe unë u them: “Nuk ka rëndësi se sa jepni, rëndësi ka që po e jepni nga zemra juaj.'"

Zëdhënësi i organizatës Salvation Army George Hood thotë se kërkesa për shërbime bamirëse është rritur mjaft."Njerëzit që tradicionalisht japin, shumë prej tyre janë bërë klientët tanë. Këta njerëz po kalojnë nëpër një periudhë shumë të vështirë dhe prandaj dhurimet për bamirësi kanë rënë."

Salvation Army ka edhe programe të tjera për të ndihmuar njerëzit në nevojë, duke përfshirë dyqane si ky në Virginia. Gjërat e dhuruara shiten për të ndihmuar një qendër rehabilitimi. Eritrean Hiwan Mogas thotë se vjen shpesh në këtë dyqan. "Këtu çmimi është i ulët, është pazar i mirë."

Mike Vincent është shef i qendrës së rehabilitimit. Ai thotë se njerëzit dhurojnë rroba në dyqan por nuk dhurojnë sende shtëpiake të shtrenjta. "Shitja e mobiljeve ka rënë të paktën 20 përqind dhe arësyeja është se njerëzit nuk para japin mobilje për shkak të kohëve të vështira ekonomike."

Salvation Army ndihmon të varfërit edhe për të paguar faturat e elektrikut. "Frika jonë më e madhe tani është se nëse nuk arrijmë të grumbullojmë aq para sa vitin e kaluar, sepse na duhet të ndihmojmë më shumë njerëz në janar dhe shkurt kur dimri i ashpër bën të vetën, atëhere do të na duhet të mendojmë për të ndihmuar shumë e shumë njerëz që ata të mund të ngrohen.” Por edhe lajmet e mira për organizatën Salvation Army dhe të tjera si ajo nuk mungojnë.

Një anketë e kryer nga firma Harris Interactive, nxjerr se rreth 75% e amerikanëve kanë në plan të shtojnë dhurimet për bamirësi menjëherë sapo të përmirësohet ekonomia.

XS
SM
MD
LG