Lidhje

SHBA: Analistët të rezervuar për krizën bankare


Pasi morën miliarda dollarë ndihma për shpëtim nga qeveria, bankat amerikane janë nën presion në rritje për të shtuar përsëri dhënien e huave. Tani që bankat po shlyejnë huatë e marra nga qeveria më parë sesa ç’pritej, presidenti Obama po u kujton drejtuesve të bankave se është radha e tyre për të ndihmuar ekonominë amerikane. Por ndërsa po mbyllet viti 2009, disa analistë paralajmërojnë se kriza bankare nuk ka përfunduar.

Ndërsa bankat amerikane po ripaguajnë miliarda dollarë që qeveria iu dha për t’i shpëtuar, presidenti Obama zhvilloi takime me drejtues të lartë të bankave në dhjetor për t’u thënë se ka ardhur koha të kthejnë favorin.

Bankat u ndihmuan nga qeveria amerikane dhe taksapaguesit amerikanë. Tani bankat kanë një detyrim më të madh për të ndihmuar në një mëkëmbje edhe më të fuqishme.” - tha presidenti Obama

Por presidenti mund të ketë më shumë kërkesë se duhet nga sektori financiar.

Ekonomisti Martin Neil Baily, autor librash dhe ish këshilltar në administratën Klinton thotë se pas falimentimit të firmës Lehman Brothers në fund të vitit 2008, shumë nga bankat më të mëdha të botës ishin të shqetësuara, pasi rënia kolosale e çmimeve të shtëpive ekspozoi investimet në huatë e rrezikshme.

“Bankat që ishin pranë falimentimit ishin Citibank, Bank of America dhe nëse këto nuk do të mbështeteshin nga qeveria, mendoj se do të ishte krijuar një krizë me efekt domino që do të ishte shumë më e vështirë sesa ajo që kaluam.” - thotë ai

Megjithëse ai thotë se periudha më e vështirë ka kaluar, Bailey thekson se kriza bankare nuk ka përfunduar. Më shumë se 130 banka dështuan në vitin 2009, shifra më e lartë që nga viti 1992. Ai parashikon një falimentim edhe më të madh për bankat e vogla rajonale gjatë 2010-s ndërsa afrohet periudha e maturimit të huave në pasuritë e patundshme.

Analistët thonë se problemi më i madh është papunësia e lartë, e cila dobëson kërkesën dhe i bën bankat të ngurojnë të japin hua. Por shefi i bankës US Bankcorp Richard Davis e sheh ndryshe situatën.Ai tha:

“Ne jemi ndoshta më optimistë sesa ekspertët. Dhënia e huave është esenciale për biznesin tonë. Pra duam të japim më shumë hua. Duhet të gjejmë mënyrën për të zgjedhur më shumë klientë dhe për të mos e vënë veten në rrezik.”

Ndërkohë që disa ekonomistë parashikojnë vazhdimin e mëkëmbjes në 2010-n, Baily thotë se e vetmja siguri është se bankat nuk ka të ngjarë të bëjnë të njëjtin gabim dy herë.

“Parashikimet janë të rrezikshme kështu që nuk dua të them shumë. Nuk mendoj se e dimë se çfarë do të ndodhë, por është pothuajse e sigurtë se mund të kemi një rritje të ulët gjatë vitit të ardhshëm dhe ndoshta ky nivel do të qëndrojë i tillë në mos po do të bjerë.” - thotë ai

Nëse ky skenar do të përsëritet, pra nëse ekonomia të fillojë të tkurret përsëri, Bailey thotë se kjo do të kërkonte një paketë të dytë stimuluese, gjë që administrate Obama shpreson se nuk do të jetë e nevojshme. //mm//

XS
SM
MD
LG