Lidhje

Moti i keq në Evropë shkakton probleme udhëtimi para festave


Megjithëse në fytyrat e fëmijëve bora ka sjellë buzëqeshje, për të tjerët, moti i keq pak ditë para Krishtlindjeve ka sjellë mërzi.

Temperaturat nën zero së bashku me borën e madhe që ka rënë kanë shkaktuar kaos në trafik në Gjermani, Poloni dhe vende të tjera.

Ato kanë ndërprerë edhe udhëtimin ajror, ku shumë fluturime për në Evropë ose janë vonuar ose janë anulluar.

Moti i keq ka krijuar probleme udhëtimi edhe në det. Porti francez i Kalesë u mbyll të shtunën duke shkaktuar vonesa për automjetet rreth portit anglez Dover ku shërbimet e trageteve ishin prekur tepër.

Edhe treni i shpejtë që lidh Londrën dhe Parisin, dhe zakonisht punon pa probleme u detyrua të ndalonte.

Pasi gjashtë trena Eurostar u prishën pranë apo në tunelin nën kanalin anglez, sistemi është pezulluar deri sa inxhinierët të zgjidhin problemet elektrike që mendohet se janë shkaktuar nga akumulimi i rreshjeve të borës.

Ndërkohë që trenat nuk lëvizin, mijëra pasagjerë kanë mbetur ku janë si këto udhëtarë nga Parisi.

“Është fundjava para Krishtlindjeve dhe duhet të bëjnë diçka më shumë për njerëzit që kanë ngecur këtu. Ata nuk po na japin ndonjë alternativë se si të shkojmë në Londër. Ne nuk kemi ku të rrijmë në Paris. Dhe nuk po na japin informacionin e duhur.”

Dje, Eurostrai premtoi t’u ofronte atyre që kanë pasur vonesa të gjata apo anullime kthimin e parave dhe kompensim.

Por meqenëse ky mot pritet të vazhdojë për disa ditë, problemet e borës dhe erës duket se do të vazhdojnë edhe këtë javë që sapo ka filluar.

XS
SM
MD
LG