Lidhje

Mëkëmbja e ekonomisë amerikane


Shifrat e reja tregojnë se ekonomia amerikane u rrit më ngadalë nga sa ç'mendohej fillimisht. Nga korriku në shtator prodhimi i përgjithshëm i brendshëm u rrit me një ritëm vjetor prej 2 presje 2 përqind, duke shënuar ulje nga parashikimi prej 2 presje 8 përqind. Megjithë uljen, tregues të tjerë sugjerojnë një përmirësim të ndjeshëm në tremujorin e fundit. Por disa ekonomistë thonë se mëkëmbja ekonomike nuk është diçka e sigurtë.

Sipas Departamentit të Tregëtisë, prodhimi i përgjithshëm ishte më i ulët nga parashikimet si rezultat i rënies së shpenzimeve të konsuimatorëve, pakësimit të ndërtimeve dhe zvogëlimit të inventarit nga kompanitë.

Megjithatë shifrat e reja flasin për një rritje prodhimi, pas rënies që zgjati një vit.

Wall Street-i reagoi pozitivisht pjesërisht nga fakti i një rritje prej 7 presje 5 përqind të shitjeve të shtëpive ekzistuese.

Ekonomisti Martin Neil Baily thotë se treguesit e fundit sugjerojnë se ekonomia është në rrugën e duhur për të shënuar rritje më të madhe në të ardhmen."Shumë analistë shohin rritje më të madhe në tremujorin e katërt, ndoshta 4 prej përqindësh. Pra në këtë ekonomi që po merr kthesën, gjërat duken mirë".

Ana negative është se një pjesë e mirë e rritjes në tremujorin e tretë erdhi nga paketa stimuluese e qeverisë. Këtu përfshihet 8 mijë dollarë shkurtime taksash për blerësit e rinj të shtëpive.

Ndërsa programet stimuluese të qeverisë po përfundojnë, të njëjtin fat mund të ketë edhe mëkëmbja.

"Disa nga analistët parashikojnë një rritje të fuqishme në vitet 2010 dhe 2011. Por nuk mendoj se kjo është një gjë e sigurtë. Mendoj se është e mundur se kjo që po shohim tani është një lloj mëkëmbje që mund të mos vazhdojë të jetë e fuqishme në 2010 dhe 2011".

Zoti Baily e pranon se parashikimi ekonomik nuk është një shkencë ekzakte. Ai thotë se rasti më i keq do të jetë një periudhë rritjeje, e pasuar nga ngecja e pastaj një tjetër recesion.

"Papunësia është ende e lartë, konsumatorët kanë humbur shumë pasuri. Ata janë të pasigurtë për punët që kanë. Në këtë ekonomi ka shumë pasiguri".

Megjithë paralajmërimet, analistët thonë se ekonomia është mëkëmbur më shpejt sesa ç'pritej. Një anketë me disa ekonomistë të njohur parashikon se ekonomia do të rritet 4 përqind mes tetorit dhe dhjetorit.

Shifrat për tremujorin e katërt pritet të dalin më 29 janar.


XS
SM
MD
LG