Lidhje

Viti i parë i Presidentit Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Barak Obama po mbyll vitin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe përgatitet për të dytin. Ekonomia, lufta në Afganistan dhe zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm në Kongres mund të jenë faktorët që do të përcaktojnë se sa arritje ka patur presidenti në realizimin e objektivave të tij.


Presidenti Obama e kaloi pjesën më të madhe të vitit 2009 duke u përpjekur të shërojë ekonominë dhe të promovojë planin e tij të rigjallërimit ekonomik. Nathan Gonzales, redaktor i revistës Raporti Politik Rothenberg, thotë se edhe gjatë vitit 2010 Presidenti do të bëjë thuajse të njëjtën gjë pasi në muajin nëntor janë zgjedhjet për shumë vende në Kongresin amerikan.

"Më e keqja që mund t’i ndodhë presidentit dhe demokratëve do të ishte nëse ekonomia vazhdon të keqësohet dhe atyre i hidhet faji për këtë. Nëse ndodh, kjo do të çonte në rezultate katastrofike ditën e zgjedhjeve".

Raportet e fundit tregojnë se ekonomia amerikane po fillon ta marrë veten. Por papunësia mbetet e lartë, duke kapur nivelin e dy shifrave për herë të parë në 26 vjet. Ish kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Ed Gillespie thotë se shunmë amerikanë ia hedhin fajin zotit Obama për papunësinë e lartë.

"Dhe njerëzit do të shikojnë se arësyeja për mungesën e vendeve të reja të punës është politika e Presidentit Obama për më shumë taksa, më shumë shpenzime, më shumë borxhe dhe më shumë ndërhyrje të qeverisë në ekonomi, në banka, në industrinë e makinave, në kujdesin shëndetësor dhe në energji".

Në fakt zoti Obama nuk i ka ngritur taksat. Gjithashtu, përkrahësit e tij thonë se ai ka penguar humbjen e vendeve të tjera të punës. Robert Borosage është drejtor i organizatës Fushata për të Ardhmen e Amerikës.

"Ai është një president që është përpjekur të bëjë gjëra të mëdha e të rëndësishme për vendin. Ndërkohë, kemi një ekonomi që plani i tij i rigjallërimit nuk e ka lejuar të keqësohet më tej përkundrazi, do të rritet".


Lufta në Afganistan do të jetë një tjetër përparësi kryesore për Presidentin Obama në vitin 2010. Dhuna në Afganistan po shtohet, mbështetja e amerikanëve për luftën po bie dhe ligjvënës të Partisë Demokrate, që është edhe partia e zotit Obama, e kanë kritikuar planin e tij për dërgimin e dhjetra mijra trupave shtesë. Nathan Gonzales thotë se me afrimin e zgjedhjeve të Kongresit në nëntor, zoti Obama është nën presion për të treguar rezultate.

"Presidenti Obama duhet të tregojë se ai ka një plan për Irakun dhe Afganistanin, se ky plan po funksionon".

Republikani Gillespie është dakord me pikpamjen se Presidenti përballet me një situatë të vështirë në Afganistan.

"Kur je President i Shteteve të Bashkuara, vendimet që merr janë të vështira. Mendoj se zoti Obama po e shikon tani ndryshimin mes fushatës për t’u bërë president dhe të qenit president".

Veç Afganistanit dhe ekonomisë, Presidenti Obama ka edhe shqetësime të tjera të politikës së brendshme si emigracioni, ligjet për ndryshimet klimatike apo krijimi i vendeve të punës në industrinë e energjisë së pastër. Nathan Gonzales mendon se fushata zgjedhore po bëhet pengesë për disa nga nismat e mëdha të Presidentit.

"Në vitin 2010, do të jetë më e vështirë për presidentin që të arrijë miratimin e ligjeve të ndryshme sepse demokratët në Kongres janë të preokupuar me rizgjedhjen e tyre".

Shumë nga nismat e zotit Obama, si reforma shëndetësore, do të fillojnë t’i japin rezultatet pas zgjedhjeve të nëntorit. David Frum, ekspert në Institutin American Enterprise, thotë se amerikanëve po u humbet durimi.

"Askush nga ne nuk e di se ç’do të ndodhë në vitin 2010 dhe ndoshta këto nisma do të sjellin të mira në të ardhmen. Por mund të thuhet me siguri se tani ato nuk po sjellin gjë".


Megjithatë, thotë Robert Borosage, votuesit do ta kuptojnë se Presidenti Obama po bën gjithçka në interes të tyre.

"Mendoj se nëse Presidenti vazhdon të luftojë për reforma që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, kjo do të jetë mirë si për atë vetë ashtu edhe për demokratët".

Rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit në Kongres dhe fati i presidencës Obama do të varen ndoshta edhe një herë nga fuqia e tij për të bindur elektoratin. //iç//

XS
SM
MD
LG