Lidhje

Afganistani përpiqet të marrë nën kontroll fatin e tij në vitin 2010


Presidenti amerikan Barak Obama po dërgon 30 mijë trupa shtesë në Afganistan, në përpjekje për t’iu kundërvënë kryengritjes talebane. Egërsia e sulmeve talebane në vitin 2009 i detyroi Kombet e Bashkuara të lëviznin më tepër se gjysmën e ekipit të tyre ndërkombëtar. Synimi përfundimtar për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre është transferimi i përgjegjësive të sigurisë tek forcat afgane. Por para se kjo të ndodhë, qeveria afgane duhet të luftojë me efektivitet korrupsionin e përhapur në rradhët e saj.

Në fillim të vitit 2009, kryengritësit talebanë kontrollonin pjesën më të madhe të Afgansitanit jugor, si dhe tregtinë fitimprurëse të drogës. Koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara vuri në shënjestër pozicionet e dyshuara të militantëve, duke shtuar sulmet ajrore. Por drejtori i operacioneve për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Pierre Kraehenbuhl tha se kjo strategji u zbatua me një kosto vdekjeprurëse.

"Konflikti po intensifikohet, ai po përhapet në rajone të tjera të Afganistanit, viktimat mes civilëve janë shtuar shumë në krahasim me një vit më parë".

Sulmet ajrore shkaktuan zemërimin e publikut, ndërsa njoftimet për viktima mes civilëve u shtuan. Presidenti afgan Hamid Karzai tha se vdekjet mes civilëve ishin burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në vend.

Si përgjigje, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s përforcuar rregullat e luftës për të kufizuar viktimat mes civilëve.

Komandanti i lartë amerikan në Afgansitan, Admirali Mike Mullen, i tha Zërit të Amerikës se një kujdes më i madh në sulmet ndaj militantëve, do të jetë më pozitive për koalicionin në afat të gjatë.

"Çdo herë që vritet një civil afgan, qoftë burrë, grua, apo fëmijë, është një dështim strategjik. Pra sado suksese taktike që të jenë arritur, vrasja e civilëve është një dështim i strategjisë dhe në fund të fundit mision dështon".

Nga fundi i marsit, Presidenti Barak Obama bëri të njohur një politikë të re për Afganistanin.

"Për tre vjet, komandantët tanë e kanë bërë të qartë se çfarë burimesh u nevojien. Këto burime atyre u janë mohuar për shkak të luftës në Irak. Por tani kjo do të ndryshojë".

Presidenti Obama urdhëroi mijëra trupa amerikane shtesë në Afganistan. Më vonë, ai ndryshoi edhe udhëheqjen ushtarake, duke çuar gjeneralin amerikan Sanley McChrystal, me synimin për të minimizuar viktimat mes civilëve.

Ndërsa gjendja e sigurisë në Afganistan u përkeqësua, qëndrueshmëria politike e vendit vazhdoi të tronditet. Mandati i zotit Karzai përfundonte në maj, por qeveria afgane shtyu zgjedhjet deri në fund të gushtit, me shpresën se gjendja e sigurisë do të përmirësohej.

Talebanët intensifikuan kryengritjen, në përpjekje për të sabotuar zgjedhjet presidenciale. Por më 20 gusht, megjithë dhunën, miliona afganë shkuan në votime.

Në muajt që pasuan, vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve deklaruan se në votime pati manipulime dhe shumica në favor të Presidentit Karzai. Zyrtarët afganë bënë thirrje për balotazh mes zotit Karzai dhe rivalit të tij kryesor, ish-Ministrit të Jashtëm, Abdullah Abdullah.

Por zoti Abdullah u tërhoq nga gara vetëm disa ditë para zgjedhjeve, duke thënë se mendonte që ato nuk do të ishin të drejta. Si rezultat, në fillim të nëntorit, zyrtarët afganë të zgjedhjeve shpallën fitues zotin Karzai.

Pas shpalljes së zotit Karzai fitues, Presidenti Obama bëri të njohur dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan dhe u kërkoi edhe vendeve të tjera të NATO-s të dërgojnë më tepër trupa.

"Të marra së bashku, trupat amerikane e ato ndërkombëtare shtesë do të përshpejtojmë kalimin e përgjigjeve tek forcat afgane dhe do të bëjnë të mundur fillimin e tërheqjes së forcave tona në korrik të vitit 2011".

Analisti politik me bazë në Kabul Akmal Dawi thotë se korrupsioni në qeverinë afgane dhe mungesa e burimeve dhe e përgatitjes së forcave të vendit do të kërkojë që koalicioni të qëndrojë më gjatë në Afgansitan.

Për të qenë realist lidhur me sfidat me të cilat ndeshet Afganistani, ky vend do të mund të vetëmbrohet pa mbështetjen ndërkombëtare pas 10-15 vjetësh.

Presidenti Karzai thotë se vendi i tij nuk do të jetë i aftë t’i përballojë vetë sfidat edhe për 15-20 vjet të tjerë.

"Ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar, veçançrisht Shtetet e Bashkuara si aleati ynë kryesor, do ta ndihmojnë Afganistanin të fuqizohet nga pikëpamja ekonomike dhe e sigurisë, me një forcë e cila do të ishte e aftë të mbronte vendin".

Zoti Karzai është zotuar ta luftojë më me efektivitet korrupsionin vitet e ardhshme dhe ka filluar hetimet për një numër zyrtarësh qeveritarë.

Por ndërsa afganët përgatiten për zgjedhjet e 2010-ës, disa vëzhgues janë të shqetësuar se këto votime do të jenë më të kushtueshme dhe të ndërlikuara se zgjedhjet presidenciale të 200-tës. Ekziston gjithashtu frika se afganët thjeshtë nuk do të shkojnë të votojnë nga frika e ndëshkimit prej talebanëve, ose thjesht për shkak të apatisë.

Por ndërsa vazhdon të rritet numri i viktimave mes civilëve dhe trupave, analistët thonë se nuk është në interesin e komunitetit ndërkombëtar e as të Afganistanit që populli afgan të përshkohet nga apatia.//rd//

XS
SM
MD
LG