Lidhje

Izraeli paralajmëron rreth aftësive bërthamore të Iranit


Izraeli paralajmëroi se Irani po i afrohet në mënyrë të rrezikshme pikës kur mund të jetë i aftë të përdorë armën bërthamore.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak thotë se Irani po ecën me shpejtësi drejt pikës pa kthim. Duke folur pas dyerve të mbyllura në komisionin parlamentar të punëve të jashtëme dhe të mbrojtjes, zoti Barak tha se Irani do ta ketë teknologjinë për ndërtimin e armës bërthamore nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe mund të prodhojë një armë të tillë në vitin 2011.

Ministri i kabinetit, Yuval Steinitz, i cili ka qenë kryetar i komisionit parlamentar u shpreh:

"Irani po përpiqet të ketë në zotërim armë bërthamore. Nëse Perëndimi nuk bën asgjë serioze, asgjë dramatike, Irani do ta arrijë këtë brenda një ose dy vjetësh."

Irani thotë se programi i tij bërthamor është thjesht për qëllime paqësore por sipas zotit Steinitz, Izraeli ka prova se Republika Islamike po prodhon bombën bërthamore.

"Ekzistojnë prova të mira, madje do të thosha prova të shkëlqyera zbulimi që tregojnë se kjo është e vërtetë. Kjo është më se e qartë për të gjitha shërbimet perëndimore të zbulimit."

Izraeli është alarmuar nga provat që Irani bëri kohët e fundit me raketa - rrezja më e gjatë e testuar prej tij deri tani - si dhe nga kërcënimet e mëparshme të presidentit të tij për ta zhdukur nga harta shtetin hebraik. Prandaj, udhëheqësit izraelitë po bëjnë thirrje për sanksione më të ashpra ndërkombëtare ndaj Iranit para se të jetë tepër vonë.

Por Izraeli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se nëse diplomacia dështon, ai mund të bombardojë objektet bërthamore të Iranit për t’i dalë përpara çdo të papriture.//ii

XS
SM
MD
LG