Lidhje

Ekspertët: Lufta kundër al-Kaidës do të jetë e gjatë


Zyrtarë të qeverisë amerikane, anëtarë të kongresit dhe ekspertë të terrorizmit thonë se amerikanët duhet të jenë gati për një luftë të gjatë kundër al-Kaidës pas sulmit të dështuar me bombë që ndodhi të premten e kaluar në një aeroplan amerikan kur ai po ulej në Detroit të Miçiganit.

Të dhënat e fundit nga hetimi mbi sulmin e dështuar terrorist erdhën nga presidenti Barak Obama i cili vazhdon pushimet në Havaji.

Presidenti u tha gazetarëve se një shqyrtim paraprak mbi të metat që çuan në incidentin në fjalë duhet të përfundojnë të enjten. Por presidenti Obama tha se tashmë është e qartë se, incidenti erdhi si pasojë e një dështimi të “papranueshëm” në sistemin e sigurisë.

“Tashmë është e qartë se ekziston një kombinim i faktorit njeri dhe dështimit të sistemit që ka kontribuar në këtë thyerje të sigurisë me potencial katastrofik. Ne duhet të mësojmë nga ky episod dhe të veprojmë me shpejtësi për të rregulluar këtë mangësi në sistemin tonë sepse siguria dhe jeta e njerezve është në rrezik.”

Incidenti i së premtes në bordin e një aeroplani amerikan shërben si një sinjal i kërcënimit terrorist, më shumë se tetë vjetë pas sulmeve terroriste të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.

Kjo temë u rikthye në skenën e vendit dje me komentet e ligjvënësve dhe ekspertëve të cilët paralajmëruan për një luftë të gjatë kundër terrorizmit në përgjithësi dhe al-Kaidës në veçanti.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga Miçigani Pit Hokstra është republikani kryesor në Komisionin e Shërbimeve të Zbulimit. Ai foli në programin “Early Show” të rrjetit televiziv CBS.

“Populli amerikan duhet ta kuptojë se ky kërcënim është i vërtetë, dhe vazhdon të ekzistojë. Ky kërcënim ka ekzistuar mes nesh për pothuaj 20 vjet dhe ne duhet të jemi në ofensivë. Ne duhet të shikojmë përpara. Duhet të vëmë në përdorim teknologjinë më të re.”

Informacione të reja kanë dalë në dritë mbi të dyshuarin e përfshirë në përpjekjen për të hedhur në erë aeroplanin, shtetasin nigerian Umar Faruk Abdulmutallab. Publikimet në internet të njoftuara nga agjenci të ndryshme lajmesh sugjerojnë se 23 vjeçari Abdulmutallab shpesh herë ishte i vetmuar dhe i deprimuar.

Ekspertët e terrorizmit thonë se megjithëse sulmi dështoi, aftësia e Abdulmutallabit për të sjellë në bordin e aeroplanit materiale eksplozive vë në pikëpyetje procedurat e sigurisë.

Ish analisti i CIA-së Majkëll Sheër është profesor në Universitetin Georgetown në Uashington.

“Është fakt se ne jemi mundur në këtë sulm. Në të vërtetë vetëm viktimat munguan. Çdo gjë tjetër që al-Kaida dëshironte nga ky sulm ndodhi. Amerikanë janë terrorizuar, shpenzimet e udhëtimeve ajrore dhe për mbrojtjen e trafikut ajror po rriten. Terroristët kanë dëshmuar përsëri se janë një armik i vendosur, ne nuk i kemi mundur ata dhe ende nuk jemi afër një fitoreje kundër tyre.”

Emri i Abdulmutallabit ishte përfshirë në një listë të gjatë të dhënash mbi individët të cilët dyshohet se kanë lidhje me terrorizmin. Por ai nuk ishte përfshirë në listën e personave që paraqesin kërcënim të lartë që do ta kishte kapur vëmendjen e analistëve të sigurisë. Kjo ngre çështjen e komunikimit mes agjencive qeveritare dhe mes vendeve.

Stuart Bejkër ka shërbyer në Departamentin e Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentit Bush. Ai thotë se shërbimet e zbulimit dhe zyrtarët e sigurisë duhet të bëjnë punë më të mirë në shkëmbimin informacioneve dhe të veprojnë në bazë të atyre informacioneve.

“Ka mungesë të komunikimit, mungesë të shfrytëzimit të duhur të të dhënave mbi ata që janë terroristë potencialë dhe vendimmarrja për nivelin e egzaminimit që duhet zhvilluar ndaj këtyre personave.”

Abdulmutallab kishte vizë të vlefshme amerikane, pavarësisht se i ati i tij kishte shprehur shqetësimet e tij te zyrtarët e ambasadës amerikane në Nigeri se i biri po radikalizohej.

Ish sekretari i Sigurisë Kombëtare Majkëll Çertof thotë se kjo do të jetë një nga fushat ku do të përqëndrohen hetimet mbi këtë ngjarje.

“Këto viza mund të jenë dhënë një apo dy vite më parë, dhe gjatë kësaj kohe ndonjeri prej këtyre njerëzve mund të jetë radikalizuar, prandaj është e rëndësishme që këto viza të rishikohen. Dhe mendoj se kjo do të jetë një çështje në të cilën hetuesit do të përqendrohen gjatë pesë apo gjashtë javëve të ardhshme.”

Ekspertët e anti-terrorizmit thonë se incidenti në aeroplanin amerikan shërben si një shenjë e fortë se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në një luftë afatgjatë me terroristët të cilët janë të vendosur të sulmojnë. //ii

XS
SM
MD
LG