Lidhje

SHBA: Siguria ajrore, përsëri në qendër të vemendjes


Siguria e linjave ajrore vazhdon të jetë në qendër të vemendjes këtu në Shtetet e Bashkuara dhe kjo ka ngritur çështjen e skanimit nëpër aeroporte. Disa ekspertë thonë se skanerat e sofistikuar mund të luajnë një rol të madh. Por të tjerë mendojnë se skanimi i tepruar do të krijonte probleme të privacisë te udhëtarët. Ndërkohë, në Uashington është vështirë që çështje të tilla të qendrojnë jashtë politizimit.

Pas sulmeve ndaj kullave binjake të Nju Jorkut 8 vjet më parë, për sigurinë e fluturimeve ajrore janë shpenzuar dhjetra miliarda dollarë.

Që nga ajo kohë, tek pikat e kontrollit, rradhët janë të gjata, njerëzit heqin këpucët dhe nuk lejohen lëngjet.

Disa ekspertë thonë se njerëzit duhet të jenë të indinjuar që as këto masa nuk kanë dhënë rezultat të plotë.

Sipas tyre, nëse përdoren pajisje më të sofistikuara, këto mund të zbulojnë lëndët shpërthyese si ato që kishte me vete nigeriani Umar Farouk Adbdulmutallab kur hipi në avionin që fluturonte nga Amsterdami për në Detroit.

Ministri i brendshëm holandez thotë se së shpejti do të instalohen skanera që kontrollojnë gjithë trupin.

Këta lloj skanerash mund të shikojnë edhe brenda rrobave, por minsitri thotë se edhe ata nuk janë të përsosur. Pikërisht këtu kapen ata që kërkojnë respektimin e privacisë së udhëtarëve.

"Natyrisht, një prej problemeve gjithnjë ka qenë nëse duhen përdorur apo jo mjete teknologjike që shikojnë trupin, sikur udhëtari të zhvishej. Dhe kjo do të përbënte humbje të privacisë. Ka gjithashtu mendime se as kjo mund të mos ishte shumë e efektëshme përballë kërcënimit për të cilin flasim,"
thotë Mike German i Bashkimit të Lirive Civile Amerikane.

Një shembull i teknologjisë së kushtueshme por jo gjithmonë të efektëshme janë këto makina për të cilat qeveria amerikane ka shpenzuar më shumë se 20 milion dollarë. As ato nuk funksionuan.

Ndërkohë, në Uashington, debati politik vazhdon të jetë i nxehtë: republikanët kanë kritikuar si të pamjaftueshme përpjekjet e administratës në luftën kundër terrorizmit ndërsa demokratët janë kundërpërgjigjur.

Michael Chertoff, ish kreu i Departamentit për Sigurinë e vendit, thotë se vemendja duhet të jetë tek terrorizmi dhe jo tek politika.

"Të dyja palët duhet të mos harrojnë se armiku është në një shpellë diku në Waziristan," thotë Chertoff.

Përpjekjet vazhdojnë ndërkohë për të mbyllur të çarat në sistemin e sigurisë së fluturimeve ajrore që mendohet se shfrytëzoi nigeriani Abdulmutallab, për të hipur në avionin e linjës amerikane.

XS
SM
MD
LG