Lidhje

Qeveria amerikane investon për internetin


Qeveria amerikane po shpenzon shtatë miliard dollarë për të garantuar internet me shpejtësi të lartë për të gjithë amerikanët. Ky është një projekt infrastrukture me përmasa gjigande dhe qëllimi është që çdo amerikan – duke përfshirë ata që jetojnë në zona të varfëra urbane dhe rurale, të mund të përfitojë nga interneti.

Ky është një kurs për kompjuterin dhe internetin i ngritur pranë organizatës joqeveritare Byte Back në Uashington. Para se të hynin në kurs, shumë nga këta njerëz nuk kishin prekur kurrë një kompjuter dhe as ishin futur ndonjëherë në Internet.

Shelia Melvin thotë se ka zbuluar se çfarë vlere të madhe ka interneti.

"Ndoshta shtatë vjet më parë kur shihja këto gërma WWW mendoja se për çfarë u duhen këto njerëzve. Mirëpo tani e kuptoj se asgjë nuk mund të bësh dot pa internet. Asgjë. Interneti është bërë një me jetën tonë dhe nuk mund ta përfytyroj veten pa të."

Anketat tregojnë se një në çdo katër amerikanë nuk kanë internet. Pra janë miliona njerëz të cilët nuk i shkruajnë dot një e-mail mjekut, nuk dërgojnë dot aplikime për një vend pune dhe as për t’u regjistruar në një kurs.

Kongresi amerikan i ka dhënë afat deri më 17 shkurt Komisionit Federal të Komunikacionit që të dalë me një plan për t’u garantuar internet të shpejtë të gjithë amerikanëve. Kryetari i Komisionit Julius Genachowski shpjegon rëndësinë e planit:

"Ne përballemi me sfida të mëdha si vend – kujdesi shëndetësor, arsimi, energjia, siguria publike. Megjithëse vetëm interneti i shpejtë nuk do të sjellë zgjidhjen e të gjitha problemeve, ai mund të luajë një rol kritik në zgjidhjen e tyre."

Shumë amerikanë përdorin internetin për të blerë çdo gjë, nga kompjuterat e deri te telefonat celularë.

Mirëpo një në katër amerikanë, sidomos në zonat rurale dhe ato të varfëra, shpesh nuk ka qasje në Internet. Shumë prej atyre që ndjekin kursin në Byte Back jetojnë në një komunitet me atë ardhura të ulta në Uashington.

Kelly Ellsworth është drejtore ekzekutive e organizatës.

"Çmimi i këtij interneti nuk mund të jetë tepër i lartë, pra vetëm për disa që mund të paguajnë, sepse kjo do të thotë që të mbeten jashtë lidhjes me botën pjesë të tëra të vendit."


Byte Back jep kurse kompjuteri falas si dhe lidhje me internetin. Pjesmarrës të kursit si Shelia Melvin thonë se shpresojnë t’i përdorin njohuritë e fituara për të kryer detyra të tilla të thjeshta si aplikimi për punë përmes internetit.

Por fillimisht qeverisë do t’i duhet të hartojë një plan të hollësishëm se si do të shpenzohen paratë për të përhapur internetin. //ii

XS
SM
MD
LG