Lidhje

SHBA: Administrata do të publikojë hetimet mbi Abdulmutallabin


Zyrtarë amerikanë të sigurisë thonë se e kishin piketuar për kontroll shtesë sapo të zbriste në Detroit personin që dyshohet si autor i komplotit terrorist të Krishtlindjes.

Zyrtarët thonë se dyshimet për lidhjet e Umar Faruk Abdulmutallab-it me elementë ekstremistë u shfaqën gjatë kontrollit rutinë të pasagjerëve, ndërkohë që ai po udhëtonte nga Amsterdami drejt Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë do të japë sot hollësi të tjera lidhur me problemet në punën e agjencive të zbulimit, që çuan në komplotin për sulm terrorist. Presidenti Barak Obama pritet t'i drejtohet sot vendit lidhur me këtë çështje.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar James Jones tha për gazetën USA Today se amerikanët do të shokohen në një farë mase kur të kuptojnë çfarë problemesh janë zbuluar. Por ai shton se presidenti është i përkushtuar për t'i ndrequr gabimet.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs thotë se zyrtarët do të publikojnë një përmbledhje të hetimeve lidhur me planet që dyshohet se kishte përgatitur shtetasi nigerian për sulm në një avion që udhëtonte drejt Detroitit.

Zoti Obama kritikoi agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të javës për dështim në përpjekjet për të ndaluar Umar Faruk Abdulmutallabin para se të hipte në avionin nga Amsterdami në Detroid. Ai tha se agjencitë kishin informacion të mjaftueshëm për ta ndaluar Abdulmutallabin, por nuk e analizuan si duhet informacionin.

Ndaj 23-vjeçarit Abdulmutallab në shtetin Miçigan u ngrit zyrtarisht akt-padia me 6 akuza, përfshirë tentativë për përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë dhe tentativë për vrasje. //ad//

XS
SM
MD
LG