Lidhje

Ç'do të bëhet me të burgosurit jemenas të Guantanamos


Presidenti Barak Obama njoftoi këtë javë pezullimin e transferimit të jemenasve që ndodhen në objektin amerikan të paraburgimit në Guantanamo të Kubës. Kjo me sa duket lidhet me njoftimet se nigeriani i cili u përpoq të hedhë në erë avionin amerikan ditën e Krishtlindjeve, ishte stërvitur në Jemen. Por si do të ndikojë ky vendim në të ardhmen e Guantanamos dhe të personave që mbahen atje?

Zyrtarët amerikanë thonë se të paktën dy nga të burgosurit që dikur mbaheshin në Guantanamo, sot udhëheqin al-Kaidën në Jemen. Rreth 90 persona, rreth gjysma e të burgosurve në Guantanamo janë nga Jemeni.

Por pas përpjekjes për hedhjen në erë të avionit amerikan ditën e Krishtlindjeve nga një person që thuhet se ishte stërvitur në Jemen, Shtetet e Bashkuara po e rishikojnë politikën e lirimit të të burgosurve. Presidenti Obama thotë se Amerika do ta pezullojë procesin e transferimit të këtyre personave në jemen. Senatori republikan, John McCain, gjatë një vizite në Irak shprehu mbështetje për këtë vendim të presidentit.

"Të tjerë që kanë ikur nga Guantanamo dhe kanë shkuar në Jemen jo vetëm i janë kthyer luftës por edhe janë bërë vetvrasës me bomba dhe drejtues. Kjo duhet të ndalet."

Vendimi i Presidentit Obama e komplikon kalendarin e tij për mbylljen e Guantanamos deri më 22 janar. Por ai thotë se kjo nuk ndryshon asgjë në synimet e tij.

Peter Beinart pranë organizatës New American Foundation thotë se vendimi i Presidentit i siguron atij mbështetje por në kurriz të të burgosurve në Guantanamo.

"Sa herë që njerëzit tremben, për shembull kur ndodh ndonjë sulm ose kërcënim dhe komentatorët përhapin frikë në Televizion, balanca mes lirive civile dhe sigurisë zhvendoset në disfavor të lirive civile, sidomos kur fjala nuk është për liritë civile të amerikanëve por të jo-amerikanëve."


Beinart rekomandon që personat e Guantanamos të dërgohen në burgjet e sigurisë maksimale brenda Amerikës se sa të kthehen nëpër vendet e tyre. James Phillips i Fondacionit Heritage paralajmëron se kthimi i këtyre njerëzve në vendet e tyre do të kërkonte më shumë punë.

"Ata duhet të mbikqyren shumë nga afër pasi të jenë liruar."

Por sot për sot, Shtetet e Bashkuara nuk kanë besim se Jemeni mund t’i mbajë ata nën mbikqyrje pasi ky vend është i tronditur nga lufta civile në veri dhe probleme të tjera. //ii

XS
SM
MD
LG