Lidhje

Itali: Zhvendosen 300 emigrantë mbas përleshjeve në Rosarno


Autoritetet italiane thanë se rreth 300 imigrantë u larguan nga qyteti i Rosarnos pas përleshjeve të dhunshme me banorët dhe policinë.

Autobuzët i çuan imigrantët në vendstrehime jashtë qytetit. Duket se qetësia është rivendosur në qytetin Rosarno në rajonin e Kalabrisë.

Konflikti filloi të enjten kur disa të rinj qëlluan me armë një grup imigrantësh afrikanë që po ktheheshin nga puna në bujqësi. Dy prej tyre u plagosën.

Qindra imigrantë dolën nëpër rrugë në shenjë proteste, duke thyer xhamat e makinave dhe duke u vënë zjarrin koshave të plehrave. Më pas policia ndërhyri, madje u përlesh me imigrantët, duke plagosur disa prej tyre.

Protestat vazhduan dje kur gati 2 mijë imigrantë demonstruan para bashkisë së qytetit. Dhuna la të paktën 37 të plagosur, përfshi 18 policë. //mm//
XS
SM
MD
LG