Lidhje

Panairi i elektronikës në Las Vegas


Në Panairin Ndërkombëtar të Elektronikës në Las Vegas, janë ekspozuar disa produkte të reja por mes tyre tërheqin vemendjen dy: kompjuteri transparent dhe një kamer portative për skiatorët dhe zhytësit. Firmat shpresojnë se pajisjet e reja do t'i bëjnë konsumatorët të hapin kuletat dhe të blejnë, megjithë kohët e vështira ekonomike.

Kompjuterat portativë po shfaqen sot në shumë forma, netbook, smartbook, e-readers... Në panair është ekspozuar një tip krejt i ri: laptopi me ekran të padukshëm kur nuk është në përdorim.

Është prodhim i firmës Samsung, dhe ka ekran 14 polsh të ndërtuar me diodë tip OLED.

Kjo lloj diode që emeton të ashtuquajturën dritë organike, e gjeneron dritën në sipërfaqen e ekranit, dhe nuk ka nevojë të ndriçohet nga prapa duke kyrsyer kështu më pak energji se sa diodat jo-organike të tipit LED.

Barry Young, Drejtor i Shoqatës OLED, thotë se ekrani i ngjan pamjeve nga filmi futuristik Avatar.

"Është një ekran plotësisht i tejdukshëm, pra kur ne vendosim një imazh në pjesën bosh, mund të shikosh tejpërtej. Kjo i ngjan asaj që shikon në fimin 'Avatar'. Mund ta mendosh si të kesh një ekran që varet nga tavani kur dëshiron të shikosh dhe kur nuk e përdor ai bëhet transparent. Pra, do të jetë diçka me shumë sukses për industrinë."

Firma Samsung thotë se kjo teknologji e re përfaqëson rezolucionin më të lartë për ekranet e mëdhenj dhe me transparencën më të lartë deri më sot.

Nëse dëshiron të realizosh një film të veçantë me mjete të thjeshta, mund të provosh këto kamera të lidhura në maska për ski dhe zhytje.

Janë të firmës Liquid Image dhe janë ekspozuar në panairin e Las Vegasit. Melanie Pearson, është nënpresidente e firmës.

"Ideja është që, kur njeriu bën sport në natyrë, ai dëshiron t'i ketë duart të lira dhe kur në dorë ke kamerën, nuk e shijon sa duhet sportin. Pra, kamera e re të lejon të liron duart qoftë kur bën zhytje apo ski dhe të lejon gjithashtu t'u tregosh miqve dhe familjes se çfarë ke parë".

Këto lloj kamerash mund të përdoren në thellësi deri në 50 metra.

Ato kanë lente me kënd të gjerë dhe mund të regjistrojnë video me rezolucion të lartë direkt në kartën e memorjes.

Një variant tjetër i kësaj kamere mund të përdoret nga skiatorët për regjistrime në dëborë.

Në panairin e Las Vegasit pritet të ekspozojnë 2,500 firma dhe të vijnë 110,000 vizitorë, pra shumë më pak se sa në vitin 2007. //rd//


XS
SM
MD
LG