Lidhje

Kontrolli në aeroportet izraelite dhe siguria ajrore



Izraeli ka një ndër sistemet më efektive të kontrollit për pasagjerët e linjave ajrore. Megjithë kërcënimin e vazhdueshëm që paraqesin grupet ekstremiste palestineze, asnjë avion i nisur nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit nuk është hedhur në erë apo rrëmbyer dhe aeroporti nuk është sulmuar që nga fillimi i viteve ’70. Ky sukses është rezultat i një sistemi të sofistikuar që ndërthur informacione nga agjencitë e zbulimit, kontrolle që bazohen tek e kaluara, raca, identiteti dhe kombësia e udhëtarit dhe teknologji të fjalës së fundit për gjetjen e armëve dhe lëndëve plasëse.

Kjo është një ditë kontrollesh rutinë në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit.

Rreth 1 milion pasagjerë kalojnë përmes këtij aeroporti çdo muaj. Në këtë pikë, radha lëviz shpejt, falë metodës së kontrollit me sy, siç e cilësojnë ekspertët izraelitë. Ndryshe nga vende të tjera, kontrolli në Izrael nuk mbështetet aq te teknologjia, se sa tek analiza bazuar në sjelljen e individëve.

Pini Schiff është një ndër themeluesit e degës së sigurisë në aeroportet e Izraelit dhe ka qenë më parë përgjegjës për sigurinë në aeroportin Ben Gurion. Tani ai drejton një kompani private sigurimi, konsulente e qeverisë izraelite.

“Ne përqendrohemi tek pasagjeri. Kush është pasagjeri. Nëse e kaluara e tij e bën të besueshëm, nuk i kontrollohet me vëmendje të veçantë valixhja. Nëse ai hyn në kategorinë e pasagjerëve të dyshimtë, ai do të bëhet objekt kontrolli të imtësishëm.”

Shumica e njerëzve e kalojnë kontrollin për 30 minuta.Këtu, jo të gjithë duhet të heqin këpucët apo të bëjnë skanimin e gjithë trupit. Procesi i skanimit nuk lejohet të filmohet nga gazetarët. Ai përfshin një intervistë prej 25 sekondash ku kontrollorët përcaktojnë se përse udhëtari ka ardhur në aerport, ku do të shkojë si dhe të dhënat e tij të përgjithshme.

"Qëllimi është të gjendet ai pasagjer i vetëm që mund të jetë terrorist dhe që mund të ketë lëndë shpërthyese", thotë Pini Shif, ish zyrtar i lartë aeroportesh.

Ngushtimi i numrit të personave që duhen kontrolluar bën që agjentët të kalojnë nëpër kontroll mijra pasagjerë më shpejt se sa në rast se do të kontrohej bagazhi i çdo personi.

Agjentët izraelitë thonë se do të kishte qenë e pamundur që një person si nigeriani që u përpoq të hedhë në erë avionin amerikan ditën e Krishtlindjes të kishte hipur në aeroplan në aeroportin Ben Gurion pa u ndaluar. Ai ishte mysliman, 23 vjeçar që udhëtonte i vetëm, pa bagazh dhe biletën e kishte të paguar me para në dorë.

Ekspertët izraelitë thonë se sistemi i tyre i kontrollit është i komplikuar dhe nuk ka në objektiv vetëm pasagjerët myslimanë.

Nir Ran, kreu i Akademisë për Sigurinë e Vendit në Tel Aviv, ka punuar më parë për sigurinë në aeroporte dhe është marrë me drejtimin e operacioneve të sigurisë në kompaninë ajrore El Al.

Nir Ran – Ekspert i sigurisë ajrore.

“Vetë pasagjeri që vjen në aeroport me një bombë në valixhe jo domosdo është mysliman ose djalë i ri, mund të mos jetë vetë terrorist. Përvoja na mëson se njerëzit që kanë futur bomba në avion kanë qenë vajza jo-myslimane.”

Palestinezët ankohen për kriteret e kontrollit nga izraelitët dhe rrallë e përdorin aeroportin Ben Gurion duke preferuar të kalojnë nga Jordania ku kontrollet janë më të pakta.

Disa nga skanerat dhe detektorët për të cilët në Amerikë flitet shumë, janë prodhuar në Izrael. Pini Shif thotë se këto pajisje ndihmojnë por nuk janë gjithçka.

"Gjëja më e mirë është që teknologjia të ndihmojë për të bërë seleksionimin e atyre që do të kontrollohen, kjo jep rezultatin më të mirë.”

Sistemi izraelit mund të jetë i debatueshëm por ai ka dhënë rezultate thuajse të përsosura.

XS
SM
MD
LG