Lidhje

Presidenti Obama u jep shtytje të re marrëdhënieve me Rusinë


Gjatë vitit të parë në detyrë të Presidentit Barak Obama, administrata e tij u përpoq t’u jepte një shtytje të re marrëdhënieve Amerikë-Rusi, të cilat u acaruan gjatë administratës së ish-presidentit George W. Bush.

Në mars të vitit të kaluar, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton i dha ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, një dhuratë, që simbolizonte angazhimin e administratës Obama për t’i dhënë një shtytje të re marrëdhënieve me Rusinë. Ishte një sustë me fjalën ‘rifillo’, të përkthyer në rusisht.

“U përpoqëm shumë që të gjenim fjalën e saktë në rusisht. A mendoni se e qëlluam,? pyeti Sekretarja Klinton.

“Ju e keni gabim, duhet të jetë 'perezagruzka.' Këtu është shkruar 'peregruzka,' që do të thotë e mbingarkuar,” u përgjigj homologu i saj.

Megjithë përkthimin e gabuar, analisti i pavarur i politikës ruse, Aleksander Konovalov, mirëpret përmirësimin e marrëdhënieve. Ai thotë se administrata e presidentit Bush u duk se nuk e përfilli Rusinë për shkak të ekonomisë relativisht të vogël dhe arsenalit të vjetër bërthamor.

“Ndryshimi kryesor i administratës Obama është se ajo e kuptoi se qëndrimi i administratës së mëparshme, thjesht matematik ishte e gabuar. Rëndësia e Rusisë në botë është shumë e madhe. Amerika ka nevojë për Rusinë po aq sa Rusia ka nevojë për Shtetet e Bashkuara”.

Analisti Konovalov thotë se të dy vendet mund të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, trafikut të drogës, Afganistanin, programin bërthamor të Iranit dhe mos përhapjen e armëve bërthamore në përgjithësi.

Në korrik, Presidenti Obama vizitoi Moskën dhe nënshkroi një marrëveshje paraprake për pakësimin e dy arsenaleve bërthamore më të mëdha të botës me një të tretën.

“Ne kemi marrë masa të rëndësishme drejt sigurisë bërthamore si dhe për të ndalur përhapjen e armëve bërthamore. Kjo fillon me pakësimin e arsenaleve tona”.

Të dy vendet po punojnë për zëvëndësimin e Traktatit për Pakësimin e Armëve Strategjike, i cili skadoi muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini thonë se marrëveshja mund të arrihet së shpejti.

Rusia ka mirëpritur vendimin e Presidentit Obama për anullimin e planeve për ndërtimin në Evropën Qendrore të një sistemi të debatueshëm për mbrojtjen nga raketat. Dhe duke u bërë një lëshim Shteteve të Bashkuara, Moska lejoi përdorimin e territorit të saj për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan. Sidoqoftë Presidenti rus Dmitri Medvedev tha muajin e kaluar se vendi i tij do të zhvillojë një teknologji të re raketash, që u prit me shqetësime në Uashington.

“Kur të hartojmë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen, ne ende do të meremi me zhvillimin e forcave tona të mbrojtjes strategjike. Pa to, është e pamundur të mbrojmë vendin tonë”.

Aleksander Konovalov thotë se marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përmirësuar gjatë vitit të kaluar, por jo aq sa të arrihet në një satisfaksion.

“Rruga në të ardhmen është shumë më e gjatë se sa ajo e vitit të kaluar. Ajo që nevojitet mbi të gjitha është një nivel komplet i ri besimi”.

Pjesa më e madhe e mosbesimit ka të bëjë me republikat ish-sovjetike. Administrata Obama nuk pranon pretendimet ruse për privilegje speciale në këto republika, ndërkohë që Kremlini kundërshton çdo shtrirje të NATO-s, që do të përfshinte Gjeorgjinë dhe Ukrainën. (ze)

XS
SM
MD
LG