Lidhje

Sulmi me bombë i Al-Kaidës kundër CIA-s në Afganistan


Sulmi me bombë i kohëve të fundit tek baza e CIA-s në Afganistan nuk ishte krejtësisht i papritur. CIA e ka patur prej vitesh në objektiv Al-Kaidën, edhe para sulmeve të 11 shtatorit 2002 dhe hakmarrja ishte diçka e paevitueshme. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gari Tomas, tek suksesi i sulmit të Al Kaidës mund të ketë kontribuar një kombinim i përbashkët i shkujdesjes për sigurinë dhe e etjes së pangopur të CIA-s për informacion.

Michael Schauer, i cili udhëhoqi kërkimet e CIA-s për Osama Bin Ladenin, thotë se vdekja e 7 oficerëve të CIA-s dhe , si dhe e një oficeri jordanez të sigurisë në sulmin vetëvrasës të 30 dhjetorit, ishte një tragjedi. Por, shton ai, e parë me logjikë të ftohtë dhe në mënyrë profesionale, sulmi tregoi kulmin e sofistikimit të zbulimit të Al Kaidës, apo siç njihet operacioni HUMIT, që shfrytëzoi me mjeshtëri etjen e CIA-s për informacione mbi udhëheqësit kryesorë të Al Kaidës.

"Nuk dua të tingëlloj aspak si një njeri pa zemër, por mund të them se ishte një operacion i mrekullueshëm. Operacioni i zbulimit HUMMIT ishte i organizuar mjaft mirë".

Sipas informacioneve të shumta të publikuara, një oficer i zbulimit jordanez, që shërbente si kontakt, e solli Human Khalil Abu-Mulal al-Balawin, tek baza e CIA-s në Khost, për t’u takuar me një grup oficerësh të CIA-s. Al Balawi thuhet se u përdor si agjent i dyfishtë, një njeri që dikur kishte qenë simpatizant i al-Kaidës, por që i kishte kthyer shpinën bosëve të tij të mëparshëm.

Por doli se vazhdonte të ishte besnik i bosëve të tij të parë, gjë që e bëri atë agjent të trefishtë, duke aktivizuar lëndët shpërthyese që kishte në trup.

Disa oficerë të CIA-s të intervistuar, disa prej të cilëve pranuan të flisnin vetëm në mënyrë anonime, shprehën çudinë që al-Balawi u lejua t’u afrohej një numri kaq të madh oficerësh të CIA-s.

Gary Bernstein, ish-oficer karriere, i cili ka drejtuar gjithashtu operacionet në Afganistan, thotë se takimi në bazën e CIA-s ishte një shkelje e atyre që oficerët e zbulimit i quajnë rregulla të zanatit, për trajtimin e informatorëve.

"Normalisht, mund të ketë një oficer, i cili merret me një burim, apo informator të caktuar. Ata mund të takohen privatisht. Nganjëherë mund të përfshihet në këtë çështje edhe një person i dytë, ekpert të një çështjeje të veçantë. Por të kesh një numër kaq të madh oficerësh së bashku që takohen me një informator, është shumë e pazakontë dhe nuk është një praktikë standarte."

Burton Gerber, veteran 39-vjeçar i operacioneve të CIA-s, thotë po ashtu se ishte gabim ekspozimi i një numri kaq të madh oficerësh zbulimi ndaj një njeriu, i cili, sipas të gjitha gjasave, CIA nuk e kishte takuar akoma.

"Nuk ishte një veprim i mençur në disa këndvështrime, përsa i përket numrit të oficerëve të ekzpozuar ndaj informatorit. Pra ky ishte një gabim i zanatit tonë. Por në anën tjetër, duke i ditur të gjitha hollësitë, nuk di përse ndodhi kjo në një zonë ku nuk zhvilloheshin luftime".

Ish-oficerë të mëparshëm të CIA-s ofrojnë arsye të ndryshme përse mund të mos jenë shkelur rregullat e zanatit. Zoti Bernsatin thotë se mund të ketë ndodhur për shkak se Al Kaida shfrytëzon tundimin e oficerëve të CIA-s për të ditur vendndodhejn e numrit dy të Al Kaidës, Ayman al-Zawahiri. Ndërsa analisti tjetër, Mike Scheuer, thotë se në se al Balawi nuk ishte kontrolluar, duke bërë të mundur kalimin e tij me eksplozivë në trup pa u dalluar, kjo mund të ketë ndodhur sepse ai ishte agjent i zbulimit jordanez që kishte dalë garant për të, dhe se CIA nuk donte ta ofendonte agjencinë tjetër simotër.

Zbulimi jordanez njoftohet se ka dhënë informacione tepër të rëndësishme që i lejonin forcat amerikane të vinin në shënjestër, apo vrisnin Abu Musab al-Zarqawin, udhëheqësin me orgjinë jordaneze të Al Kaidës në Irak, në vitin 2006.

Të luash rolin e agjentit të trefishtë, është një operacion i ndërlikuar, por ish-oficerë të CIA-s thonë se al Kaidës nuk i mungon eksperienca në këtë fushë. Analisti Gary Bernstein është mes atyre që theksojnë se shumë operativë të al-Kaidës kanë shërbyer në mbrojtje, apo në agjencitë e zbulimit të vendeve të Lindje së Mesme.

CIA nuk ka reaguar publikisht për sulmin ajo nuk i konfirmon, apo mohon ndonjërin prej detajeve. Por ish-oficerë të CIA-s thonë se me siguri që në zyrat e agjencisë po u bëhet një vlerësim dëmeve që ka shkaktuar sulmi dhe elementëve të veçantë të ngjarjes./ap

XS
SM
MD
LG