Lidhje

Presidenti Obama dhe ekonomia amerikane një vit më pas


Megjithëse trashëgoi një situatë mjaft të vështirë, presidenti Barak Obama premtoi të bënte të pamundurën për të ndrequr ekonominë e tronditur amerikane. Bazuar në treguesit kryesorë, presidenti duket të ketë arritur sukses në stabilizimin e krizës më të rëndë finaciare që nga periudha e depresionit. Por ekspertët e fianancave thonë se përmirësimi i pamjs ekonomike fsheh statistika sheqësuese – gati një në pesë amerikanë ka humbur punën ose nuk po kërkon më punë. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim ekonomisë amerikane nën adminstratën e presidentit Obama.

Kur një numër rekord njerëzish u mblodhën atë ditë të ftohtë janari të 2009-ës në kongres, tregjet financiare po pësonin rënie të lirë, dhe ekonomia amerikane humbi 600 mijë vende pune në një muaj. Shumë sfiduan të ftohtit për të dëshmuar historinë, të tjerë kërkuan siguri në një kohë tepër të vështirë.

"Sot, ju them se sfidat me të cilat përballemi janë reale. Ato janë serioze dhe të shumta. Nuk mund të zgjidhen lehtë apo në një kohë të shkurtër. Por ta dini – Amerika do t’i zgjidh problemet."

Në kohën kur Barak Obama u bë presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara recesioni i madh kishte shkurtuar më shumë se 3 milionë vende pune. Në një vit, ky numër do të dyfishohej.

Industria e makinave po dështonte, bankat nuk po jepnin hua dhe amerikanë po humbisnin shtëpitë e tyre në numër rekord. Për të keqësuar edhe më tej kushtet, konsumatorët, forca kryesore e ekonomisë amerikane, nuk ishin në gjendje të shpenzonin.

Por një vit më vonë, ekonomistja Alice Rivlin thotë se masat agresive të ndërmarra nga administrata Obama duket të kenë ndaluar gjakderdhjen.

"Atij iu dha një situatë jashtëzakonisht e vështirë dhe mendos se bëri një punë shumë të mirë. Për të parandaluar një kolaps ekonomik, administrata lëvizi me një plan të debatueshëm për të shpëtuar bankat që rrezikoheshin të falimentonin."

Rezerva Federale uli ndjeshëm normat e interesit për të nxitur huadhënien. Më pas megjith kundërshtimet e fuqishme nga republikanët, kongresi miratoi gati 800 miliardë dollarë paketën stimuluese për të stabilizuar sistemin financiar dhe për të filluar punësimin.

"Të gjitha këto masa kanë meritën për faktin se rënia e lirë nuk vazhdoi dhe ekonomia po stabilizohet dhe shpresojmë të rritet këtë vit."


Në fakt, Wall Street-i ka reflektuar një besim në rritje duke mbyllur 2009ën me fitimet më të mëdha që nga viti 2003.

Bankat që morën ndihmë nga Programi për Shpëtimin e Aseteve arritën fitime të papritura dhe ripaguan miliarda dollarë hua, duke rezultuar në një fitim rekord prej 46 miliardë dollarësh për Rezervën Federale.

Por me çfarë kostoje?

Një vit pasi presidenti mori detyrën, papunësia është në nivelin dyshifror dhe deficiti arriti rekodrin prej 1 presje 4 trilionë dollarë.

Analisti konservator Ron Haskin në Institutin Brookings i jep presidentit një notë të dobët për politikat e tij të shpenzimeve megjithëse e pranon se kjo mund të ketë parandaluar një katastrofë edhe më të madhe.

"Është një precedent i rrezikshëm për qeverinë të përfshihet kaq shumë në ekonomi dhe kjo më shqetëson, por sistemi financiar nuk falimentoi."

Edhe në se ekonomia amerikane rritet në 2010 dhe më shumë amerikanë i kthehen punës, si kritikët edhe përkrahësit e presidentit thonë se vendi përballet me sfida më serioze në të ardhmen; rritja e shpejtë e deficitit dhe borxhi kombëtar llogaritet të jenë më shumë se 12 trilionë dollarë.

Shifra është 12 me 12 zero pas, ose gati 40 mijë dollarë për çdo burrë, grua apo fëmijë që jeton në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG