Lidhje

SHBA: Ç'mund të pritet në vitin e dytë të administratës së presidentit Obama


Barak Obama u inagurua si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara një vit më parë mes shpresave në rritje dhe mbështetjes tejet të madhe nga publiku. Por viti i parë i presidentit Obama në Shtepinë e Bardhë është provuar të jetë mjaft sfidues politikisht. Shtytja e tij për reformimin e kujdesit shendetësor ka ngjallur opozitën e djathtë, ndërkohë që disa nga mbështetësit liberalë më besnikë ankohen se zoti Obama ka qënë tejet i gatshëm për të bërë kompromis.

Zoti Barak Obama erdhi në Shtepinë e Bardhë mes një atmosfere shprese dhe ndryshimi, por i vetdijshëm për problemet e mëdha që po trashëgonte nga paraardhësi i tij Xhorxh W. Bush.

"Sot ju them se sfidat që kemi përpara janë të vërteta, serioze dhe të shumta. Ato nuk do të kapërcehen lehtë dhe brenda një kohe të shkurtër, por ato do të tejkalohen."

Mes sfidave janë dhe ekonomia e dobët, vazhdimi i konflikteve në Afganistan dhe Irak dhe një angazhimi për të zbatuar premtimin e fushatës elektorale, reformimin e kujdesit shëndetësor.

Nga fundi i vitit të parë në Shtepinë e Bardhë, zoti Obama u përball me një katastrofë humanitare në Haiti dhe ridaljen në skenë të një kërcënimi të vjetër, terrorizmit.

Orvatja e dështuar për të hedhur në erë një aeroplan amerikan mbi Detroit, provoi të ishte një provë e madhe e administratës kur flitet për sigurinë kombëtare, e cila është kritikuar nga disa se reagimi ndaj situatës ishte tejet i ngadaltë.

"Përgjegjësia bie mbi mua. Si president kam përgjegjësinë solemne për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Dhe kur dështon sistemi, përgjegjësia bie mbi mua."

Zoti Obama erdhi në Shtepinë e Bardhë në një kohë kur gëzonte një mbështetje të madhe publike, por ky popullaritet ka pësuar rënie gjatë muajve të fundit.

Anketa e fundit e Universitetit "Quinnipiac" gjeti se amerikanët ishin të ndarë në mënyrë të barabartë me 45 përqind që mbështesnin punën e presidentit dhe 45 përqind kundër. Peter Brown është me anketën e universitetit.

"Ata e pëlqenjnë Obamën personalisht. Ata mendojnë se është i besueshëm dhe i ndershëm. Ata mendojnë se ai është një udhëheqës i fortë. Ata thonë se nuk janë dakord me të medoemos për çështjet që i shqetësojnë ata më së shumti. Ata shpresojnë se ai do t'i përkushtohej më shumë ekonomisë. Atyre nuk u pëlqen projektpropozimi për reformimin e kujdesit shëndetësor."

Shtytja e presidentit Obama për refomimin e kujdesit shëndetësor me ndihmën e ligjvënësve demokratë pati një efekt galvanizues në politikën amerikane.

Shqetësimet rreth kostos dhe ndërhyrjes së shtetit në sektorin privat nxitën zemërimin e bazës konservatore, çfarë mund të ndikojë pozitivisht për republikanët në zgjedhjet e nëntorit. Ja çfarë thotë udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell i shtetit të Kentakit.

"Kam shpresë të madhe se një numër i mjaftueshëm demokratësh do të zgjohen dhe do të thonë se ne nuk duhet t'ja imponojmë këtë popullit amerikan. Është një akt tejet arrogant."

Anketat e opinionit publik tregojnë se mbështetja ndaj presidentit për reformën e kujdesit shëndetësor po bie. Por disa analistë politik besojnë se miratimi i reformës së kujdesit shëndetësor do të ndihmonte eventualisht si presidentin ashtu edhe demokratët.

Matt Dallek është historian politik me Qendrën për Politika Dypartiake këtu në Uashington.

"Nëse presidenti tregon se miratimi i kujdesit shëndetësor është arritje monumentale, mendoj se kjo do t'i ndihmonte politikisht shumë atij. "

Disa liberal janë të zhgënjyer me kompromiset e presidentit Obama për kujdesin shëndetësor dhe vendimin e tij për dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan. Udhëheqësi i të drejtave civile, Julian Bond thotë se shumë demokratë shpresonin më shumë tek zoti Barak Obama kur erdhi në Shtepinë e Bardhë.

"Askush nuk duhet të shpresoj që presidenti Obama që trashëgoi dy luftëra, një sistem fianciar të rrënuar, që trashëgoi të gjitha këto probleme, që të zgjidhë këto probleme menjëherë. Mendoj se nuk është realiste."

Analistët politikë zakonisht japin një pasqyrë të përzierë rreth vitit të parë të presidentit në detyrë. Larry Sabato drejton Qendrën për Politika në Universitetin e Virxhinias.

"Duke patur parasyshë situatën e rëndë, ai ka patur sukses, kryesisht për dikë që nuk ka eksperiencë në qeverisje. Është mrekulli kur mendon për një njeri që ishte në Senat vetëm për pak vite, dhe posti tjetër politik ishte senati i Illinoit."

Shumica e ekspertëve mendojnë se republikanët do të përfitojnë në zgjedhjet kongresionale të nëntorit. Disa demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat mesa duket do ta detyrojnë zotin Obama që të shtrijë dorën drejt demokratëve konservatorë dhe republikanëve të moderuar me shpresën e arritjes së një koalicioni politik për të krijuar mundësinë e miratimit të legjislacioneve në Kongres gjatë viteve që vijnë. //mm//
XS
SM
MD
LG