Lidhje

Gjashtë fuqitë botërore diskutojnë mbi Iranin


Pesë anëtarët e përshershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania thonë se do të vazhdojnë punën për gjetjen e një zgjidhje përmes negociatave mbi ambicjet bërthamore iraniane, por ndërkohë po marrin në konsiderat, masa të tjera. Grupi i njohur 5+1 zhvilloi një takim të nivel drejtorësh politikë të shtunën në Nju Jork.

Drejtorët politikë nga Britania, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania si dhe një diplomat i nivelit të ulët nga Kina, u takuan në Misionin e Bashkimit Evropian në Nju Jork.

Diplomatët thonë se takimi ishte një sesion analize për të parë drejtimin përpara mbi çështjen bërthamore të Iranit. Robert Cooper, i cili është drejtori politik i Bashkimit Evropian, foli për media pas takimit në rolin e drejtuesit të takimit.

Ai tha se Irani ka deshtuar të zbatojë kërkesat kyçe nga takimi ndërmjet grupit dhe Iranit në Gjenevë vjeshtën e kaluar dhe gjithashtu ka refuzuar takime të tjera me grupin. Gjashtë fuqitë e mëdha po ashtu kanë shqetësime të tjera.

“Irani ka ndërtuar fshehurazi një objekt pasurimi në afërsi të Qom, pa asnjë qëllim të besueshëm civil, pa njoftuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike brenda kohës së duhur në bazë të kërkesave të sigurisë dhe në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit.”

Ai tha se grupi gjithashtu është i shqetësuar nga bashkëpunimi jo i mjaftueshëm me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe me reagimin e Iranit në muajin nentor lidhur me rezolutën e agjencisë. Kjo rezolutë kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit. Gjithashtu i kërkon Iranit të ndalojë ndërtimet në objektin në Qom dhe të konfirmojë se nuk ka aktivitete të tjera të fshehta bërthamore.

Zoti Cooper thotë se grupi 5+1 gjithashtu është i shqetësuar me dështimin e Iranit për mos pranimin e propozimit nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike për furnizimin me lëndë djegëse bërthamore për reaktorët kërkimor iranianë.

Në bazë të ofertës, Irani do të dërgonte 70 përqind të uraniumit të pasuruar të gradës së ulët në Rusi dhe Francë. Më pas uraniumi do të konvertohej në shufra lëndë djegëse dhe do të dërgohej në Iran për përdorim në reaktorin e kërkimeve mjekësore.

“Si rezultat ne konkluduam se reagimi iranian ishte i pamjaftueshëm. Se ata kishin deshtuar të shfrytëzonin rastin që ministrat tanë ofruan në shtator. Grupi mbetet i bashkuar dhe thekson unitetin dhe mbetet i vendosur për angazhim në dy krahët. Ne do të kërkojmë një zgjidhje përmes negociatave por ndërjaq, marrja në konsideratë e masave të tjera të duhura ka filluar.”

Diplomatë të afërt me bisedimet thonë se 6 fuqitë botërore planifikojnë më shumë takime por nuk thanë se kur.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka vënë tre palë sanksione ndaj Iranit për aktivitetet e tij bërthamore, për të cilat besojnë se kanë synime ushtarake dhe jo civile. Fuqitë perëndimore presin me padurim për të vënë masa të mëtejshme me objektiva të caktuara, përfshi sektorët financiarë dhe të siguracioneve të Iranit, po ashtu edhe ndaj Gardës Revolucionare.

Por Rusia dhe Kina kanë qënë më ngurruese ndaj sanksioneve të reja, pavarësisht se Rusia ka dhënë sinjale kohët e fundit se ka ndërmend të mbajë një qendrim më të ashpër ndaj Iranit.

Përfaqësuesi rus në takimin e së shtunës, Sergei Ryabkov, sinjalizoi solidaritet duke thënë se gjashtë fuqit veprojmë së bashku si një grup, por shtoi se ende ka kohë për angazhim kuptimplotë politik.

Por kur një diplomat perëndimor u pyet nëse kishte kaluar koha për venien e sanksioneve ndaj Iranit, ai u përgjigj se gazetari kishte arritur në konkluzionin e duhur.

Por, do të duhen javë në mos disa muaj që 6 fuqitë të bien në konsensus rreth një rezolute të re të Kombeve të Bashkuara që penalizon më tej Iranin.

XS
SM
MD
LG