Lidhje

Komploti terrorist i Krishtlindjes në analizën e zyrtarëve amerikanë


Zyrtarë të lartë të sigurimit kombëtar në Shtetet e Bashkuara thonë se një numër të metash në sistemin e zbulimit lejuan që personi i akuzuar si autor i komplotit terrorist të Krishtlindjes të hipte në avionin drejt Detroitit. Dje zyrtarët dëshmuan para Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare, ku disa senatorë shprehën indinjatë të thellë që personi i dyshuar do të dalë para një gjykate civile dhe jo ushtarake:

Umar Faruk Abdulmutallab, i akuzuar si autor i komplotit terrorist të Krishtlindjes, ishte në listën e personave të dyshuar. I ati u kishte thënë zyrtarëve amerikanë në ambasadën amerikane në Nigeri se i biri kishte pikëpamje ekstremiste. Në telefonatat e përgjuara ishin dëgjuar militantë në Jemen duke përmendur emrin e Abdulmutallabit pak para Krishtlindjes.

Në seancën e Senatit, Michael Leiter, drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, tha se donte të sqaronte një pikë:

“Umar Faruk Abdulmutallab nuk duhet të ishte lejuar të udhëtonte me avion. I gjithë sistemi i zbulimit dështoi, dhe unë së bashku me drejtorin Blair dhe Sekretaren Napolitano e themi para jush dhe popullit amerikan, atë që tha Presidenti Obama – ne duhet të japim rezultate më të mira.”

Abdulmutallab akuzohet se u përpoq të aktivizonte një bombë në një avion amerikan, por pa sukses. Ai mbahet aktualisht në një burg pranë Detroitit. Zoti Leiter tha se dështimet e sistemit të zbulimit këtë radhë ndryshonin nga të metat para sulmeve të 11 shtatorit.

“Nuk ishte dështim në shkëmbimin e informatave. Ishte dështim në përpjekjet për integrim dhe për të kuptuar plotësisht të dhënat që kishim marrë.”

Senatori i pavarur Joseph Lieberman tha se zyrtarë të zbulimit duhet të gjejnë mënyra për t’i rakorduar emrat e të dyshuarve ndër lista të ndryshme. Ai tha se në rastet kur punonjësit qeveritarë nuk kishin përmbushur detyrat e tyre, ata duhet të mbahen përgjegjës.

“Ata duhen ndëshkuar ose pushuar.”

Duke nënvizuar se Abdulmutallabi nuk kishte qenë në listën që i ndalonte udhëtimet ajrore, Sekretarja e Sigurimit Kombëtar Janet Napolitano fajësoi indirekt zyrtarët e zbulimit që kishte pranë. Por Drejtori i Zbulimit Kombëtar Denis Blair tha se kishte pasur presion politik që listat e personave që nuk mund të fluturonin të reduktoheshin, pasi po u krijonin probleme qytetarëve të thjeshtë.

“Turp të na vijë që ramë pre e presionit. Tani e kemi zgjeruar ndjeshëm listën e personave që s’lejohen të fluturojnë krahasuar me 24 dhjetorin.”

Disa senatorë shprehën indinjatë që administrata Obama kishte vendosur ta nxirrte Abdulmutallabin para një gjykate federale, ku të akuzuarit i njihen më shumë të drejta, në vend që të nxirrej para gjykatës ushtarake. Senatori republikan Xhon Mekein tha se i pandehuri për sulmin po ofronte informata për shërbimet e zbulimit, deri në momentin që iu caktua një avokat:

“Nëse është e vërtetë një gjë e tillë, mendoj se është gabim i tmerrshëm. Është gabim i madh të ndodhë kjo kur është e qartë se individi nuk ka vepruar vetëm.”

Pavarësisht nga kritikat, Presidenti Obama është vlerësuar që mori menjëherë përgjegjësi për dështimet në sistemin e zbulimit të cilat thuajse rezultuan në një katastrofë masive. //ad//

XS
SM
MD
LG