Lidhje

Shqipëria shënon përmirësim në raportin vjetor të Lirisë Ekonomike


Një raport i ri thotë se niveli i lirisë ekonomike në botë ra vitin e kaluar ndërsa qeveritë ndërhyn për të ndalur krizën financiare.

Indeksi vjetor për Lirinë Ekonomike u publikua dje nga Fondacioni Heritage dhe gazeta The Wall Street Journal.

Sipas kësaj renditje, niveli mesatar i lirisë ra zero presje 1 përqind gjatë vitit të kaluar.

Indeksi favorizon vendet që nxisin tregun e lirë. Vendet që shpenzuan më shumë për të mposhtur recesionin u radhitën më poshtë në klasifikim.

Shtetet e Bashkuara që shpenzuan miliarda dollarë për paketën e stimulimit të ekonomisë ishin vendi i tetë më i lirë duke rënë nga pozicioni i vendit të gjashtë që mbanin në raportin e një viti më parë.

Shqipëria radhitet në vendin e 53-të për nga liria ekonomike sipas këtij indeksi, duke marrë 66 pikë. Niveli i lirisë ekonomike është përmirësuar me 2 presje 3 përqind gjatë vitit të kaluar. Shqipëria radhitet e 25ta nga 43 vendet e Evropës dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore.

Raporti konsideron dhjetë kritere në vlerësimin për lirinë ekonomike të një vendi – lirinë për punën, biznesin, tregëtinë, lirinë fiskale, shpenzimet qeveritare, lirinë monetare, lirinë për investime, lirinë financiare, të drejtën e pronës dhe lirinë nga korrupsioni.

Sipas këtij raporti, megjithë rënien ekonomike globale, Shqipëria ka qënë në gjendje të mbajë një qëndrueshmëri relativisht të mirë makroekonomike. Vendi ka vepruar për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të investimeve thuhet në raport. Por megjithë përmirësimet liria e biznesit në Shqipëri vazhdon të pengohet nga një mjedis rregullator i lodhshëm.

Pika më e dobët e Shqipërisë në vlerësimin për lirinë ekonomike është korrupsioni. Megjithatë, në raport vlerësohen hapat e marra nga qeveria në luftën kundër kësaj dukurie. Shqipëria u radhit e 85ta nga 179 vende në Indeksin e Organizatës Transperancy International për Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2008, një përmirësim i ndjeshëm nga viti 2007 kryesisht si rezultat i punës së qeverisë përmes Task-Forcës për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dhe reformës në administrimin e taksave, prokurimeve dhe regjistrimin e biznesit.

Një pikë tjetër e dobët për Shqipërinë është kriteri i të drejtës së pronësisë, ku përfshihet edhe sistemi i drejtësisë. Raporti thotë se kushtetuta e vendit i jep pavarësi gjyqësorit por presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur, burimet e kufizuara, dhe krimi i organizuar janë pengesa për një administratë gjyqësore efektive. Në përgjithësi thotë raporti, mbrojtja e të drejtës së pronësisë është e dobët. Regjistrimi i pasurisë është përmirësuar por siguria e të drejtës së tokës vazhdon të jetë problem në zonat bregdetare ku ka potencial për zhvillimin e turizmit.//rd//

XS
SM
MD
LG