Lidhje

Presidenti Obama dhe strategjia për Afganistanin


Presidenti Barak Obama investoi mjaft energji për Pakistanin dhe Afganistanin gjatë vitit të tij të parë në detyrë. Gjatë vitit 2009, qeveria pakistaneze mori një premtim nga Shtetet e Bashkuara për ndihmë ekonomike dhe ushtarake që kap 1,5 miliard dollarë në vit gjatë 5 vjetëve të ardhshëm.

Ndërkohë, në Afganistan, Presidenti Obama e trefishoi numrin e civilëve amerikanë në ambasadën e Shtetet e Bashkuara duke e çuar atë në 1 mijë, për të ndihmuar më mirë në rindërtimin e vendit. Por megjithë përpjekjet në planin civil, vemendja kryesore e Presidentit Obama mbetet te lufta kundër terrorizmit në rajon.

Vetëm pak minuta pasi bëri betimin vitin e kaluar, President Obama shpalli premtimin e tij ndaj popullit amerikan dhe ndaj botës:

"Ne do të fillojmë që në mënyrë të përgjegjshme t’ja lemë Irakun popullit të tij dhe me përpjekje të vështira të vendosim paqen në Afganistan."

Por për arritjen e kësaj paqeje, koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara iu desh të përballej me praninë e fuqishme të Talebanit në provincat jugore.

Koalicioni shtoi sulmet ajrore kundër pozicioneve të dyshuara talebane. Mirëpo strategjia e re shkaktoi reagime të forta të publikut amerikan për shkak të shtimit të viktimave civile.

Në fund të marsit, Presidenti Obama shpalli një strategji të re për Afganistanin, duke thënë:

"Për tre vjet, komandantët tanë e kanë patur që qartë se sa fonde dhe mjete u janë dashur për stërvitje. Por këto fonde u janë mohuar për shkak të luftës në Irak. Kjo gjendje do të ndryshojë."


Presidenti Obama urdhëroi dërgimin e mijra trupave shtesë në Afganistan. Më pas, ai zëvendësoi edhe komandantin amerikan atje, duke caktuar në vend të tij gjeneralin Stanley McChrystal. Urdhëri i qartë ishte pakësimi i viktimave civile.

Mirëpo Talebani e shkeli marrëveshjen e paqes dhe përparoi në rajonin e Luginës Swat duke iu afruar deri në 60 kilometra kryeqytetit Islamabad. Luftëtarët talebanë rrahën njerëz publikisht dhe mbyllën disa shkolla vajzash.

Ushtria pakistaneze u kundërpërgjigj dhe rreth 2,5 milion njerëz u larguan nga rajoni.

Nga mesi i vitit 2009, Shtetet e Bashkuara vlerësuan ushtrinë pakistaneze për sukseset e rëndësishme të arritura kundër Talebanit në verilindje të vendit.

"Tani, më në fund ushtria pakistaneze është e angazhuar në një ofensivë shumë të rëndësishme kundër Talebanit," tha i dërguari Richard Holbrooke.

Presidenti Obama më pas filloi t’i kërkojë Islamabadit të zgjerojë operacionet në rajonet fisnore të Waziristanit dhe të verë në shënjestër militantët e lidhur me Afganistanin.

Kur një seri sulmesh të militantëve tronditën vendin në muajin tetor, zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Gjenerali Athar Abbas njoftimi fillimin e operacioneve në Waziristanin jugor kundër Talibanit që besohet se operon në Pakistan.

Por shefi i shtatmadhorisë amerikane, Admirali Mike Mullen, i tha Zërit të Amerikës se Pakistani ende ka nevojë të shtojë operacionet. Ai tha se Pakistani ka gjithashtu nevojë të verë në shënjestër talebanët që mendohet se janë larguar nga Afganistan për të vepruar në zona të tilla si rajoni fisnor i Varizisrtanit Verior.


"Janë pikërisht ata talebanë që vrasin amerikanë. Janë ata talebanë që vrasin ushtarë të koalicionit, të aleatëve tanë, pra do të duhet presion ndaj të gjitha grupeve ekstremiste." -
thotë Admirali

Nga fundi i dhjetorit, administrata Obama u përball me mundësinë që talebanët e Pakistanit të intensifikonin përpjekjet në Afganistan duke ndërmarrë sulme kundër forcave të koalicionit në Afganistan.

Një person vrau 7 agjentë të zbulimit amerikan në Afganistan, siç duket si shpagim për vdekjen e udhëheqësit taleban në Pakistan, Baitullah Mehsud. Mehsud u vra nga një goditje me raketë në Pakistan, me sa duket nga forcat amerikane. Si talebanët afganë ashtu edhe ata pakistanezë morën përgjegjësinë për shpërthimin vetvrasës kundër agjentëve të CIA-s.

Presidenti Obama ka filluar tashmë dërgimin e 30 mijë trupave të tjera në Afganistan. Ai thotë se shpreson t’i kundërvihet me sukses kryengritjes në rritje dhe që një ditë t’ua transferojë përgjegjësitë e sigurisë forcave afgane.

Por që të ndodhë kjo, zoti Obama ka premtuar të forcojë partneritetin amerikan si me Afganistanin ashtu edhe me Pakistanin. //mm//

XS
SM
MD
LG