Lidhje

Delegacioni shqiptar në Këshillin e Europës bëhet objekt i verifikimeve mbi përbërjen


<!-- IMAGE -->

Edhe një herë tjetër delegacioni shqiptar në asamblenë e Këshillit të Europës bëhet objekt i verifikimeve mbi përbërjen e tij dhe përputhshmërinë me rregullat e këtij institucioni. Vjet shkak u bë zëvendësimi i papritur në përbërjen e delegacionit të kryetarit Aleksandër Biberaj, njëkohësisht edhe zëvedëspresident i Asamblesë së Strasburgut.

Këtë herë, duket se shkak është mospërfaqësimi i duhur i opozitës shqiptare, të paktën ky është pretendimi i kryetarit të grupit të deputetëve socialist në asamblenë e Këshillit të Europës i cili ka kërkuar verifikimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Kërkesa e tij duket se është nxitur nga kritikat e bëra nga socialistët shqiptar ndaj listës së paraqitur në Strasburg nga kryetarja e parlamentit shqiptar Jozefina Topalli, listë e cila përbëhet nga Ilir Rusmali, kryetar dhe Lajla Përnaska nga e djathta dhe Shpëtim Idrizi i partisë Çame, e Kastriot Islami nga Partia Socialiste.

Fillimisht socialistët akuzuan zonjën Topalli se ajo po emëron përfaqësuesit e opozitës në një kohë kur kryetari socialist Edi Rama kishte paralajmëruar se opozita nuk do të dërgojë përfaqësuesit e saj në asamblenë e Strasburgut. Edhe zoti Islami në deklarimet e tij për shtypin u shpreh se ai nuk do të shkonte përsa kohë nuk kiste bërë betimin e tij si deputet.

Nisja e procedurave të verifikimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar e shtyu dhe më tej polemikën politike në Shqipëri. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në partinë socialiste, Arta Dade, akuzoi sërish zonjën Topalli se po dëmton rëndë imazhin e vendit.

"Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ajo çfarë ka ndodhur në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës".

Nisur nga fakti se kërkesa për verifikimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar është nxitur nga anëtarë socialistë të asamblesë, në deklaratën e zëdhënëses së kryetares së parlamentit akuzohej opozita shqiptare se po bën përpjekje dashakeqe ndaj vendit.

"Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë për delegacionet parlamentare është zbatuar pikë për pikë. Partia Socialiste në delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës ka pasur vetëm një anëtar dhe ky, është zoti Kastriot Islami. Deri në momentin e verifikimit të kredencialeve, zoti Kastriot Islami ka të drejtë të ushtrojë të gjitha atributet si pjesëtar i Delegacionit të Asamblesë së Këshillit të Europës. Kërkesa e PS është false dhe e pabazuar edhe për faktin se, nëse në Legjislaturën e kaluar Partia Socialiste kishte një vend si anëtar dhe një vend si zëvendësues, kësaj rradhe, asaj i është lënë vendi i anëtarit dhe dy vende si zëvendësues."

Por socialistët pretendojnë se gjatë parlamentit të kaluar ata kishin dy përfaqësues të përhershëm dhe se ky numër duhej të ishte ruajtur, aq më tepër tani kur opozita ka 65 nga 140 vendet e parlamentit.

Situata në Strasburg duket më e komplikuar se ajo e një viti më parë kur bëhej fjalë për zëvendësim të një anëtari brenda së njejtës forcë politike. Nga ana tjetër cështja e delegacionit, për një debat mes shumicës dhe opozitës shqiptare shtrohet në një moment kur pas dy ditësh asmbleja e Këshillit të Europës do të marrë në shqyrtim një raport mbi Shqipërinë ku situata politike cilësohet problematike.

Në raport kërkohet që qeveria të ngrejë një komision parlamentar hetimi për zgjedhjet dhe opozita të hyjë në parlament, si dhe propozon një tryezë të partive politike dhe ndërmjetësim nga ana e presidentit Bamir Topi. //kh//

XS
SM
MD
LG