Lidhje

Kosova: Policia ndalon një zyrtar të qeverisë së Serbisë


Policia e Kosovës ndaloi sot një zyrtar të qeverisë së Serbisë, për shkak të qëndrimit pa leje në territorin e Kosovës.

Ndihmës ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë Branislav Ristiç, është ndaluar së bashku me katër persona të tjerë në një fshat të Klinës në Kosovën perëndimore derisa ai po zhvillonte një takim me një grup pjesëtarësh të komunitetit serb që janë kthyer rishtazi në Kosovë. Në takim ishin edhe përfaqësuesit e strukturave që mbështeten nga Beogradi.

Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi, përveç njoftimit se të ndaluarit do të dëbohen për në Serbi.

Kjo është hera e dytë brenda këtij muaji që një zyrtar serb ndalohet gjatë vizitës së paparalajmëruar në Kosovë. Më 13 janar policia e Kosovës urdhëroi ministrin e qeverisë së Serbisë Goran Bogdanovic që t'i jap fund vizitës në Kosovë dhe e shoqëroi atë për në kufirin me Serbinë.

Duke komentuar rreth ndalimit të ndihmësit të tij në Kosovë, ministri Bogdanoviq, u ka deklaruar mjeteve serbe të informimit ky nuk është incident i rastësishëm, por dëshmi e qartë se Prishtina është përcaktuar pwr radikalizim. Autoritetet në Prishtinë ndërkaq thonë se nuk do të lejojnë asnjë veprimtari qeveritare serbe pa lejen e tyre. Serbia vazhdon të kundërshtoj ashpër pavarësinë e Kosovës, të cilën e kanë njohur deri tash 65 vende të botës. (ze)

XS
SM
MD
LG