Lidhje

Gjyqi i Khalid Sheik Muhamed mund të zhvendoset nga Nju Jorku


Shtëpia e Bardhë po përballet me kundërshtime të forta politike ndaj planeve për të mbajtur procese gjyqësore në Nju Jork për pesë të dyshuar për sulmet e 11 shtatorit. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Blumberg i kërkoi së fundmi administratës së presidentit Obama që ta mbajë gjyqin diku tjetër.

Personi i vetëshpallur organizatori i sulmeve të 11 shtatorit mund të mos dalë në gjyq në Nju Jork, vetëm pak minuta larg vendit ku ngriheshin Kullat Binjake. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se administrata po shqyrton mundësinë që ta zhvendosë gjyqin e Khalid Sheikh Muhamedit jashtë Nju Jorkut. Kjo bëhet disa ditë pasi kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg i kërkoi administratës që ta rishikojë vendimin.

“Shpresa ime është që prokurori i përgjithshëm dhe presidenti vendosin të ndryshojnë mendim”.

Kryetari i Bashkisë, Blumberg në fillim e mbështeti vendimin e administratës për të gjykuar Mohamedin dhe katër të tjerë në gjykatën federale të Manhatanit. Por ai ka ndryshuar mendje, duke thënë se do të kushtonte mbi 200 milionë dollarë në vit për të mbajtur një gjyq në Manhatan.

“Do të jetë shumë e kushtueshme dhe do të shqetësojë shumë njerëz”.

Profesori i Xhorxhtaunit Robert Liber thotë se nuk është i befasuar nëse Shtëpia e Bardhë ndryshon pozicion.

“Kjo është një çështje ligjore dhe politike dhe secila ka peshën e vet në këtë moment”.

Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder deklaroi vitin e kaluar se Kalid Sheik Mohamed dhe katër të dyshuar të tjerë do të dalin në gjyq civil dhe jo ushtarak dhe do të gjykohen në gjykatën federale të Manhatanit. Departamenti i Drejtësisë ka qenë nën presion publik dhe politik që pas njoftimit.

Gjashtë senatorë, republikanë, demokratë dhe një i pavarur, kohët e fundit i shkruan një letër Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holder duke i kërkuar që Mohamedi dhe të tjerë konspiratorë të 11 shtatorit të mos gjykohen në Nju Jork. Ata thonë se mbajtja e një procesi kaq pranë vendit ku ishin Kullat Binjake do të ishte një mjet rekrutimi dhe radikalizimi për terroristët.

“Kjo letër nga senatorët e të dyja palëve është shumë e rëndësishme për shkak të kundërshtimit në rritje si mes Republikanëve, edhe demokratëve për mbajtjen e gjyqit në Nju Jorkm por edhe sepse në fund të fundit, Kongresi ka pushtetin e parave”.

Disa ligjvënës kanë filluar të flasin për mundësinë e propozimit të legjislacionit për të shkurtuar fondet federale për një gjyq në Nju Jork. Disa demokratë dhe republikanë janë kundër gjyqeve civile për të dyshuarit e Guantanamos. Ata duan që ata të gjykohen në gjykatë federale. Çarls Allen është me Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe është një ish ndihmës Drejtor i CIA-s.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për gjykimin e njerëzve në proces civil, apo për t’u dhënë një status të tepruar”.

Persona të akuzuar për terrorizëm janë ndjekur penalisht në gjykatën federale të Manhatanit. Por analistët thonë se rasti i 11 shtatorit është i ndryshëm.

“Duke pasur parasysh kundërshtimin në Kongres dhe në publik, përfshirë mundësinë e prerjes së fondeve, mendoj se do ta zhvendosin jashtë Nju Jorkut”.

Zyrtarët nuk kanë përmendur ndonjë altarnativë për vendin. Por ata thonë se Presidenti Obama vazhdon të jetë i angazhuar për një gjyq civil për Mohamedin. //ad//

XS
SM
MD
LG