Lidhje

Obama zotohet të ulë deficitin, prezanton buxhetin e ri


Presidenti Barak Obama ka propozuar një buxhet federal prej 3.8 trilionë dollarësh për vitin buxhetor që fillon më 1 tetor. Ky projekt-buxhet do ta çonte këtë vit deficitin në një nivel rekord prej afro 1.6 trilionë dollarësh. Plani duhet të miratohet si nga Senati, ashtu edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve. Partia Demokrate aktualisht gëzon shumicën në të dyja dhomat.

Presidenti Barak Obama e filloi fjalimin për prezantimin e projekt-buxhetit ashtu si shumë presidentë të tjerë, duke fajësuar paraardhësin e tij për borxhin masiv që trashëgoi.

“Gjatë 10 vjetëve të fundit, administrata dhe Kongreset e mëparshme kanë krijuar një program të kushtueshëm ilaçesh, kanë miratuar shkurtime masive taksash për të pasurit dhe kanë financuar dy luftra pa paguar për to.”

Zoti Obama thotë se plani i tij do të fillojë ta vërë nën kontroll deficitin.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të shpenzojmë pa pasur parasysh pasojat e deficitit, pa pasur parasysh pasojat e shpërdorimeve. Nuk mund të shpenzojmë sikur dollarët që mblidhen nga taksa-paguesit të jenë letra pa vlerë, sikur të na lejohet të mos përfillim sfidat që do të kenë brezat e ardhshëm.”

Presidenti ka bërë thirrje për një ngrirje 3 vjeçare të shpenzimeve federale duke filluar nga viti 2011, me përjashtim të shpenzimeve për sigurinë dhe ushtrinë. Buxheti i tij propozon shpenzime për të luftuar papunësinë, gjë që presidenti e argumenton si një domosdoshmëri për të nxjerrë vendin nga recesioni që ka sjellë humbjen e mbi 7 milionë vendeve pune gjatë 2 vjetëve të fundit.

Presidenti thotë se ulja e taksave nuk do të përfshijë kompanitë e naftës, fondet e investimeve dhe familjet që kanë mbi 250 mijë dollarë të ardhura në vit.

Miratimi i buxhetit të ri është në dorë të Kongresit. Partia Republikane e opozitës e ka kritikuar propozimin. Republikanët thonë se plani nuk vë nën kontroll shpenzimet, se do të rrisë deficitin dhe se do të mbyllë vende pune si rezultat i rritjes së taksave ndaj bizneseve të vogla. Por diçka është e qartë: përplasje të forta do të ketë në Kongres lidhur me mënyrën si shpenzohen fondet qeveritare.

Analisti konservator Ron Haskins thotë se amerikanët e thjeshtë janë të gatshëm të bëjnë atë që u takon.

“Mendoj se amerikanët do të pranojnë të përballojnë një pjesë të vështirësive, gjë që kërkohet për të balancuar buxhetin. Nëse e bëjmë këtë së shpejti, vështirësitë do të jenë shumë më të vogla se sa po të presim 10, 15 apo 20 vjet.”

Buxheti përfshin investime në arsim dhe energji të pastër. Në propozim përfshihen edhe klauzola për eliminimin e planeve për të dërguar përsëri astronautë amerikanë në Hënë. //ad//

XS
SM
MD
LG