Lidhje

Ndryshimi mes zgjedhjeve në Ukrainë dhe Rusi


Vëzhguesit politikë i kanë vlerësuar zgjedhjet e kohëve të fundit në Ukrainë, duke thënë se rezultati i balotazhit mes kryeministres Julia Timoshenko dhe njërit prej paraardhësve të saj, Viktor Janukoviç, nuk është i paracaktuar. Kjo është në kontrast të fortë me Rusinë fqinjë, ku zgjedhja në 2008-ën e Presidentit Dmitri Medvedev ishte një përfundim i ditur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Fedynsky i bën një krahasim zgjedhjeve precidenciale në dy ish-republikat sovjetike.

Rreth 3 mijë vëzhgues të huaj të zgjedhjeve deklaruan se, megjithë disa parregullsi të vogla, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të 17 janarit në Ukrainë, i përmbushi standartet ndërkombëtare.

Joao Soares është President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së: "Zgjedhjet në Ukrainë ishin cilësore. Ato i dhanë votuesve një zgjedhje të vërtetë mes kandidatëve dhe treguan përparim, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme".

OSBE-ja nuk dërgoi vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale të Rusisë në 2008-ën, duke cituar kufizimet e imponuara nga qeveria ruse.

Lilia Shibanova është kryetare e grupit të pavarur monitorues rus, Golos. Ajo thotë se organizata mori shumë ankesa, si mbushtja e kutive të votimit, mashtrime në regjistrimin e votuesve dhe për procedurat e zgjedhjeve në përgjithësi.

"Në qendrat e votimit pamë se kishte mungesë kontrolli, varësi të komisioneve të votimeve tek autoritetet, tek organizatorët e zgjedhjeve, shkelje masive të garës politike dhe të procesit elektoral në tërësi".

Edhe pasqyrimi i mediave para zgjedhjeve ishte problematik.

Gjatë fushatës presidenciale në Rusi, Dmitri Medvedev, në atë kohë në postin e zëvendëskryeministrit, paraqitej thuajse çdo ditë në programet e lajmeve të kontrolluara nga shteti, ndërkohë që kundështarët e tij ishin përjashtuar.

Kontrolli i medias nga Kremlini ka bërë që disa gazetarë të shquar rusë t’i çojnë programet në Ukrainë. Mes tyre është edhe Savik Shuster, i cili tani drejton një program me intervista politike nga Kievi.

"Programi është direkt, të gjitha partitë politike janë të pranishme dhe deputetët flasin, argumentojnë dhe debatojnë".

Në Ukrainë, rivalët presidencialë Timoshenko dhe Janukoviç kanë kërkuar mbështetjen e kandidatëve që i mundën në raundin e parë, sidomos të Serhi Tihipkos.

Biznesmeni dhe ish-ministër i ekonomisë doli i treti në zgjedhje, me 13 për qind të votave.

Zonja Timoshenko i ka ofruar atij punën e kryeministrit, në se fiton, në shkëmbim të mbështetejes nga ana e tij. Tihipko thotë se do të shërbejë në postin e kryeministrit, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet.

Shumë ukrainas thonë se zgjedhja mes dy rivalëve është e vështirë. Kundërshtarët e zonjës Timoshenko shprehin frikë për atë që e perceptojnë si qëndrim autoritar dhe mungesë të njohurive eknomike nga ana e saj.

Kundërshtarët e zotit Janukoviç citojnë përfshirjen e tij në krime dhe thonë se ai do t’i shërbente interesave të oligarkëve. Ai i shpjegon dy dënimet e tij me burgim për sulm dhe vjedhje si gabime të rinisë, më tepër se 40 vjet më parë.

Aktivisti Juri Traftov nga Moska thotë se ukrainasit nuk duhet të shqetësohen.

"Ajo që mund të themi është se Ukraina ka demokraci. Ata po e zgjedhin vetë presidentin dhe kjo është diçka e mirë. Në se nuk janë të kënaqur, do të zgjedhin një tjetër".

Por kjo nuk ndodh në Rusi. Si ligji rus, edhe ai ukrainas, ndalojnë zgjedhjen për dy mandate rresht të presidentit. Por as kryeministri rus Vladimir Putin dhe as presidenti Dmitri Medvedev nuk e kanë përjashtuar kandidimin për një tjetër mandat presidencial. Zoti Putin gjithashtu ka thënë se duhet ta marrin ata vetë vendimin se cili duhet të kandidojë. Dhe cilido qoftë ai, pak vetë kanë dyshime se fituesi do të jetë zoti Putin.

XS
SM
MD
LG