Lidhje

Bler: Prania e NATO-s në Kosovë ende e nevojshme


<!-- IMAGE -->

Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan Denis Bler, tha se edhe këtë vit Ballkani do të përbëjë sfidat kryesore për stabilitetin në Europë. Në një raport që i paraqiti Kongresit amerikan për vlerësimin e kërcënimeve ndaj sigurimit të vendit, zoti Bler tha se Drejtori i Zbulimit Kombëtar tha se ndikimi i qeverisë së Kosovës në veri është jashtëzakonisht i dobët dhe prania e NATO-s, ende është e nevojshme për të parandaluar dhunën. Sot ai foli përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve ndërsa dje përpara një komisioni të Senatit.

Raporti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar i paraqitet çdo vit Kongresit dhe aty bëhet vlerësimi i kërcënimeve ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

Në raportin e këtij viti, zoti Bler tha se është i sigurt që al-Kaida do të përpiqet të sulmojë përsëri Shtetet e Bashkuara brenda 3 ose 6 muajve të ardhshëm.

Pasi renditi kërcënimet e tjera ndaj sigurisë së vendit, zoti Bler foli gjithashtu për zhvillimet në Ballkan, duke thënë se edhe në vitin 2010 këto zhvillime do të përbëjnë sfidat kryesore ndaj qendrueshmërisë në Europë. Bashkëjetesa e tensionuar ndëretnike në Bosnje dhe çështja e pakicës serbe në Kosovë, sidomos në veriun e saj, mbeten burime tensioni të cilat kërkojnë angazhimin e Perëndimit me mjete të diplomacisë dhe të sigurisë. Zoti Bler tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë një ndikim të rëndësishëm mbi Ballkanin Perëndimor. Natyra e angazhimit të tyre, duke përfshirë aftësinë e Uashingtonit, të Brukselit dhe të shteteve kryesore të BE-së për të punuar së bashku, do të ndikojë mjaft në drejtimin e ardhshëm të rajonit.

Mbi 60 shtete e kanë njohur Kosovën, duke përfshirë 22 vende anëtare të Bashkimit Evropian, megjithatë, tha Drejtori i Zbulimit Kombëtar, në vitet e ardhshëm, Prishtina do të vazhdojë të varet nga komuniteti ndërkombëtar për ndihmë ekonomike si dhe për mbështetje diplomatike apo në aspektin e sigurisë në mënyrë që të konsolidojë më tej statusin e saj si shtet. Një pjesë e mirë e popullatës serbe në Kosovë, tha zoti Bler, vazhdon të shikojë nga Beogradi dhe t’i rezistojë integrimit në institucionet e vendit, megjithëse kjo prirje duket se po ndryshon gradualisht në pjesën jugore.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar tha se ndikimi i qeverisë së Kosovës në veri është jashtëzakonisht i dobët. Prania e NATO-s, tha ai, megjithëse është pakësuar, ende është e nevojshme për të shmangur dhunën. Përgatitja nga ana e NATO-s e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është me rëndësi kritike për efikacitetin dhe zhvillimin demokratik të kësaj force.

Udhëheqësit e Serbisë, tha zoti Denis Bler, janë për një të ardhme europiane dhe Presidenti Tadiç dëshiron një përparim të shpejtë drejt anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian, por Beogradi nuk po shfaq ndonjë shenjë se e pranon pavarësinë e Kosovës. Beogradi duket se po pret opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë, para se të vendosë se si do ta çojë më tej pretendimin e tij për Kosovën. Serbia, tha zoti Bler, i drejtohet shpesh Moskës për mbështetje politike dhe përkrahje ekonomike.

XS
SM
MD
LG