Lidhje

Një album me fotografi, risjell historinë e Majës së Vjetër në Peru


Machu Pichu, ose Maja e Vjetër, është emri që i kanë dhënë gërmadhave prej gurit të qytetit inkas, i cili ka ekzistuar para zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi dhe që ndodhet në majën e maleve Ande të Perusë, më tepër se 2 mijë e 400 metra mbi nivelin e detit.

Machu Pichu ka qenë simbol i perandorisë inkase para rënies së saj në duart e pushtuesve spanjollë në shekullin e 16-të. Qyteti i lashtë u braktis pak më vonë dhe pastaj ai u la në harresë, duke u mbuluar nga një pyll i dendur, deri kur u zbulua në vitin 1911 nga eksploruesi amerikan Hiram Bingham.

Në një album me fotografi të publikuar kohët e fundit, fotografi amerikan për veprat arkitekturale, Mike Torrey, ka kapur dëmethënien mahnitëse dhe të pashembullt të kësaj qendre historike, që nuk njeh kohë.

"Tarracat e Machu Pitchut" është titulli i albumit me 100 fotografi. Fotografi Mike Torrey thotë se ka qenë me fat që e ka vizituar qendrën historike jo një herë, por dy herë gjatë solsticit të verës në qershor dhe atij të verës në dhjetor.

"Kur shkon atje, mbetesh i mahnitur. Mbetesh pa fjalë." - thotë ai

Ai thotë se ishte e vështirë ta fotografoje këtë pikë popullore turistike pa praninë e turistëve, ngaqë këtu vijnë çdo ditë mesatarisht mbi 2 mijë vizitorë.

Akoma më e vështirë ishte të kapje këndet e dritës, që ndryshojnë vazhdimisht. Fotoja e një tempulli me tre dritare është një nga më të preferuarat e fotografit Torrey, i cili thotë:

"Kam marrë një nga dritaret nga ku hyn drita. Janë dy male në distancë dhe drita hyn tek ta mespërmes reve. Këndi i dritës ndryshonte shumë shpejt, prandaj më duhej të veproja me shpejtësi."

Duket sikur ai po fotografonte si Machu Pitchun, edhe vetë dritën e diellit. Në një tjetër nga fotot e tij të preferuara, brenda Tempullit të Diellit, ai fikson me aparatin e tij momentin kur një rreze e dritës së diellit shënon ndryshimin e stinës.

"Në tempull, kur dielli hyn përmes dritares nga lindja në qershor, ne dyshemenë e gdhendur, rrezet bien mbi pikën ku është shënuar solstici i verës. Pra arkitektura e tyre i është përshtatur drejtimit të diellit."

Kjo qendër u shpall objekt i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1983. Si fotograf i objeketeve arkitekturale, Mike Torrey thotë se e konsideron Machu Pichun si një shembull se si mjedisi njerëzor dhe ai natyror mund të ekzistojnë bashkarisht në një tërësi të projektuar mjaft mirë. Qendra me gërmadha gurësh, thotë ai, flet për gjenialitetin dhe mençurinë e inkasve.

"Kjo na tregon se ata kishin lidhje të shumta me Tokën. Ata studjonin qiellin. Tempujt e tyre ishin ndërtuar në përshtatje me solsticin veror dhe atë dimëror, si dhe me drejtimin e Diellit; unë doja t'i sillja njerëzit këtu dhe t'u tregoja atyre se kjo është reale, se këtu ka diçka që mund të na frymëzojë, ndërsa përpiqemi t'i kushtojmë më tepër kujdes mbrojtjes së mjedisit." - thotë ai

Fotografi amerikan Mike Torrey thotë se shpreson që vepra e tij do t'i inkurajojë lexuesit të reflektojnë për mençurinë e njerëzimit në lashtësi dhe të mësojnë nga arkitektët e atyre kohëve mbi fuqinë mahnitëse dhe burkurinë e një qyteti të ndërtuar në harmoni me natyrën.//mm//


XS
SM
MD
LG