Lidhje

Mishelë Obama, nismë kundër mbipeshës së fëmijëve


Rreth 30 për qind e fëmijëve amerikanë janë mbi peshë, një statistikë kjo që u përmend nga Zonja e Parë, Michelle Obama, kur ajo njoftoi nismën e re “Le të lëvizim”. Fushata kombëtare ka për qëllim të luftojë obezitetin tek fëmijët duke u mësuar atyre se si të bëjnë më shumë gjimnastikë dhe të hanë në mënyrë më të ushqyeshme.

Ushtrimet fizike janë një prej objektivave të nismës së Michelle Obamës “Le të lëvizim”. Të mirëushqyerit është një tjetër objektiv. Ky fëmijë po ha një karrotë.

Kirurgu i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara thotë se një në tre fëmijë është mbi peshë, duke i bërë fëmijët amerikanë më obezët në të gjitha vendet e zhvilluara. Dhe në 30 vjetët e fundit, obeziteti te fëmijët në Amerikë është trefishuar. Zonja e Parë synon që kjo prirje të eliminohet brënda një gjenerate.

“Asnjëri prej nesh nuk dëshiron këtë të ardhme për fëmijët dhe për vendin tonë”.

Zonja Obama po bën thirrje për më shumë gjimnastikë dhe ushqime më të mira në mencat e shkollave. Ajo thotë se 30 milion fëmijë amerikanë marrin shumicën e kalorive nga ushqimet që hanë në shkollë. Administrata po propozon një shumë shtesë prej 10 miliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm për të vendosur standarte ushqimore për shkollat.

“Nëse prindërit marrin të gjitha masat për t’i ushqyer mirë fëmijët, ne nuk duhet të lejojmë që këta fëmijë të hanë ushqime jo të mira për shëndetin nëpër mencat e shkollave”.

Zonja e Parë Obama thotë se kurimi i sëmundjeve të lidhura me obezitetin kushton gati 150 miliardë dollarë çdo vit. Pediatrët thonë se në se fëmijët rriten me mënyra të shëndetshme, fëmijët mbi peshë do të hollohen dhe nuk do të bëhen të rritur me obezitet.

"Çdo ditë ne shikojmë fëmijë çerdhesh mbi peshë, që përpiqen të mësojnë të ecin. Mbi pesha mund t’u shkaktojë fëmijëve probleme në sistemin e frymëmarrjes. Një i ri, që përfundon me diabet në vitet e adoleshencës, mund të ketë nevojë për transplantim veshke para se të bëhet 30 vjeç”.

Ekspertët e shëndetsisë rekomandojnë që fëmijët të bëjnë fiskulturë intensive një orë në ditë. Por një gjë e tillë është e vështirë për fëmijët amerikanë që kalojnë një mesatare prej 7 orë e gjysëm duke parë televizor ose duke luajtur lojra elektronike.

Presidenti Obama caktoi grupin e parë të punës për të luftuar obezitetin tek fëmijët, madje ai kërkon që një plan mbi këtë qëllim t’i paraqitet brënda 3 muajsh.

Zonja Obama thotë se ideja e saj nuk është që fëmijëve t’u mohohen ushqimet për qef, por të krijohet një balancë mes hamburgerit me patate të skuqura dhe frutave e zarzavateve.//kk//

XS
SM
MD
LG