Lidhje

Rusia po e humbet ndikimin në shkencë


Në një njoftim të fundit të kompanisë Thomson Reuters, e cila ka në pronësi agjencinë britanike të lajmeve Reuters, thuhet se Rusia po e humbet ndikimin në shkencë dhe në industritë me bazë shkencën. Por problemin për Rusinë po e rëndon edhe largimi, apo rrjedhja e trurit, e mendjeve më të mira shkencore të vendit.

Në njoftim thuhet se shkenca ruse ka vuajtur nga shkurtime drastike të buxhetit, që nga koha e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Financimi i institucioneve më të mira kërkimore të Rusisë kap jo më tepër se 5 për qind të institucioneve të ngjashme amerikane, sipas kompanisë Thomson Reuters.

Në muajin dhjetor, presidenti rus Dmitri Medvedev kritikoi kompaninë shtetërore Rosnet, që ka në pronësi rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, për shpenzimin e vetëm 0,015 për qind të të ardhurave për kërkimet shkencore dhe zhvillimin.

Nevojitet ndryshimi i ideologjisë dhe psikologjisë për zhvillimin e biznesit në kushtet moderne. Njerëzit duhet të punojnë në këtë aspekt dhe të zgjohen nga gjumi.

Rusia, po ashtu ka vuajtur nga një rrjedhje e madhe trurit që nga viti 1991, thuhet në raport. Rreth 80 mijë shkencëtarë janë larguar nga vendi në kërkim të pagave më të larta dhe të laboratorëve më të mirë shkencorë.

Drejtori i Institutit për Problemet e Globalizimit në Moskë, ekonomisti Mihail Dalajgin, thotë se kushtet e këqia të punës, burokracia dhe mungesa e modernizimit janë faktorë që i largojnë talentet.

"Shkencëtarët në institutet e tyre e ndjejnë veten si shërbyes, të cilët punonjë për njerëz plotësisht injorantë, që nuk dinë për çfarë flasin. Përsa i përket përgatitjes së tyre shkencore, menaxherët kanë mbetur në shekullin e 20-të dhe madje në atë të 19-të.”

Mosha mesatare për një anëtar të Akademisë së Shkencave të Rusisë, sipas raportit, është mbi 50 vjeç ndërsa 60-vjeç është mosha mesatare për industritë e mbrojtes, thotë analisti Pavel Felgenhauer.

"Univeristetet nuk i transferojnë njohuritë tek brezi i ardhshëm dhe ky përbën një tjetër problem,"
- thotë Felgenhauer.

Ai fajëson profesorët e korruptuar, për të cilët ai pohon se pranojnë rryshfete në shkëmbim të notave të mira. Nga ana e tij, Presidenti Medvedev thotë se Rusia duhte të tërheqë ekspertë të huaj për rigjallërimin e shkencës.

Por Mikhail Delyagin mendon se ekspertët e huaj mund të kërcënojnë interesat e naftës për rusët e fuqishëm.

"Përse na duhen ekspertë të bioteknologjisë apo të efiçencës energjitike? Të sjellësh ekspertë të tillë do të thotë t’u japësh një goditje në kokë monopolistëve të energjisë, sepse energji efiçente do të thotë më pak fitime për ta."

Në një artikull të kohëve të fundit, kritiku i Kremlinit dhe ish-kreu i burgosur i kompanisë ruse të naftës, Yukos, Mihail Kodorkovski, shkruante se kërkesa e Rusisë për të patur njerëz të aftë në shkencat themelore dhe ato të aplikuara po bie, për shkak të etjes për lëndë të para dhe korrupsionit.

XS
SM
MD
LG