Lidhje

Terroristët: Kriminelë apo luftëtarë armiq?


Ideja e gjykimit të personit të akuzuar si organizator i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në një gjykatë federale amerikane si dhe akuzat penale që janë ngritur në Detroit ndaj Umar Faruk Abdulmutallab për komplotin e Krishtlindjes kanë zgjuar një debat të ri në Shtetet e Bashkuara. Në qendër të debatit është përkufizimi i akteve terroriste dhe të drejtat që duhet t’u njihen autorëve të këtyre akteve.

Kalid Sheik Mohamed, i vetë-shpallur si organizator i sulmeve terroriste të 11 shtatorit do të dalë para një gjykate civile, nëse çdo gjë shkon sipas planit të Presidentit Obama.

Po ashtu ka gjasa që të ketë një proces në gjykatë civile kundër nigerianit Umar Abdulmutallab, i akuzuar për përpjekje për të hedhur në erë një avion amerikan ditën e Krishtlindjes.

Këto procese kanë zgjuar një debat që ka në qendër pyetjen nëse aktet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara duhet të trajtohen si akte lufte apo akte kriminale.

Kjo pyetje ndikon tek mënyra si gjykohen autorët e këtyre akteve, në gjykatë federale apo në gjykatë ushtarake.

Megjithëse Presidenti Obama synon t’i gjykojë disa nga këta individë në gjykatë civile, ai thotë se al-Kaida ka shpallur luftë kundër Perëndimit.

Ai foli mbi këtë temë ditët e fundit:

“Ne jemi në luftë kundër një grupi shumë specifik, al-Kaidës dhe aleatëve të saj ekstremistë që janë shtrirë në të gjithë globin, që duan të na sulmonin, të sulmojnë aleatët tanë, bazat tona dhe ambasadat tona në botë dhe sulmojnë njerëz të pafajshëm pavarësisht nga prejardhja apo besimi i tyre fetar.”

Në Kongres, kundërshtimi ndaj gjykimit të të akuzuarve në gjykatë federale, ku të pandehurit kanë më shumë të drejta, po shtohet.

“Pa diskutim është luftë, është luftë terrori që këta radikalë i kanë deklaruar Amerikës dhe Perëndimit.”

Majkëll Svetnam në Institutin Potomac për Studime Politike thotë se futja e akteve terroriste në kategorinë e akteve kriminale nuk duhet të bëhet pengesë që qeveria të përdorë kapacitetet e luftës. Për shembull, thotë ai, ka plot argumente pro nxjerrjes së Abdulmutallabit para një gjykate ushtarake.

“A janë këto sulme akte kriminale, pa diskutim që janë. A janë akte lufte? Pa diskutim që po. Por nuk duhet të lejojmë analizën nëse janë apo jo akte kriminale të na pengojë të përdorim kapacitetet tona të luftës kur është e nevojshme.”

Çarles Allen, nënsekretar i Departamentit për Sigurimin Kombëtar thotë se dallimi nuk është i qartë:

“Duhet një sistem i tërë mjetesh, diplomatike, policore, zbulimi dhe ushtarake. Mendoj se duhet t’i shfrytëzojmë plotësisht këto mundësi.”

Por përfaqësuesi i BE-së në Shtetet e Bashkuara, Angelos Pangalis thotë se terrorizmi nuk përputhet me përkufizimin ligjor të luftës:

“Anti-terrorizmi, pa dyshim, është përparësia kryesore kur është fjala tek forcimi i sigurisë për të ardhmen e shtetasve tanë. Por kjo luftë duhet të zhvillohet në kuadrin e ligjit ndërkombëtar dhe parametrave ligjore.”

Zoti Svetnam thotë se ligjet ndërkombëtare, si klauzolat që nuk mbështesin gjykimin e terroristëve si luftëtarë armiq, janë të vjetëruara dhe duhen zëvendësuar.

“Ne jemi në luftë me al-Kaidën dhe grupe të tjera radikale. Por ligji ndërkombëtar ndryshon tepër ngadalë dhe mund t’i duhen dekada ose një shekull që të përshtatet, por kjo nuk ndalon shtimin e viktimave apo luftën tonë kundër terrorit.”

Presidenti Obama thotë se beteja kundër al-Kaidës është gjithashtu betejë e ideve. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë punë me pjesën dërrmuese të myslimanëve që janë kundër dhunës. (ze)

XS
SM
MD
LG