Lidhje

Vazhdojnë problemet me prodhimet e makinave Toyota


Toyota po shikon mundësinë e tërheqjes për riparime të makinave Corolla pas ankesave për problemet në sistemin e frenave automatike. Kjo është një tjetër goditje për prodhuesin më të madh të automjeteve i cili ende nuk e ka marrë veten nga një numër problemesh të ngjashme.

Presidenti i kompanisë, Akio Toyoda, tha se ai nuk do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të Kongresit amerikan për problemet e kompanisë. Ai ia la këtë ekzekutivëve që kompania ka në Amerikë megjithëse shtoi se do të shikonte mundësinë që të vinte edhe vetë nëse do t’i kërkohej.

Zoti Toyoda tha se dëshironte t’i përqendronte energjitë në përmirësimin e cilësisë.

"Ata thirrën zotin Inaba, Presidenti i filialit të Toyotës në Amerikë, me mendimin se ai do të ishte personi më i përshtatshëm për të folur këtu. Do të dëshiroja t’i jepja mbështetjen time më të madhe nga qendra që ai të paraqitet sa më mirë."

Presidenti i kompanisë tha se zoti Inaba, i cili kryeson filialin në Amerikë, e njeh më mirë gjendjen në Shtetet e Bashkuara dhe është ekzekutivi më i përshtatshëm për të folur në seancë.

Toyoda tha se ai vazhdon të bëjë plane për të shkuar në Shtetet e Bashkuara por nuk ka caktuar ndonjë datë.

Por në një njoftim alarmues që mund ta thellojë krizën e Toyotës, ekzekutivi i kompanisë që merret me kontrollin e cilësisë, Shinichi Sasaki, tha se Toyota po i merr seriozisht ankesat për problemet në sistemin e frenimit në tipin Corolla, makina më e shitur në botë.

Sasaki tha se atij që nget makinën mund t’i duket sikur humbet kontrollin mbi timonin por nuk është e qartë arsyeja.

Ai përmendi problemet me sistemin e frenave ose të gomave si shkaqe të mundëshme për difekte në timon.

"Përsa i përket hetimit analitik të çështjes, ne do të marrim më shumë informacion dhe do të fillojmë punën për ta zgjidhur," tha zoti Sasaki.

Deri tani ka patur më pak se 100 ankesa, njoftoi Toyota.

Zoti Sasaki tha se ende nuk është e sigurt nëse tërheqja e Korollës nga tregu do të jetë e nevojshme por kjo gjë është në shqyrtim e sipër. Ai tha se ende nuk dihet numri i makinave që mund të kenë probleme.

"Nëse kjo ka lidhje me sigurinë, ne patjetër do t’i tërheqim," tha zoti Sasaki.

Kompania po ve në plan të parë konsumatorët, në një përpjekje të re për të shpëtuar emrin e saj.

Gjatë katër muajve të kaluar, Toyota ka tërhqeur 8.5 milion automjete në të gjithë botën për shkak të problemeve me pedalin e gazit i cili ngjitet me dyshemenë si dhe të difekteve në programimin e frenave.

Dhoma e Përfaqësuesve do të mbajë seanca dëgjimore për frenat e Toyotës më 24 dhe 25 shkurt. Ndërsa Senati më 2 mars.

Toyota ka premtuar një rikonstruksion të plotë të frenave në të gjitha modelet e ardhëshme, për të garantuar sigurinë në sistemin e akselerimit.

Ky sistem është një mekanizëm që e kapërcen akseleratorin kur pedali i gazit dhe i frenës shkelen në të njëjtën kohë.

Presidenti i kompanisë tha se Toyota nuk po i shmanget problemit dhe nuk po përpiqet të mbulojë ndonjë gjë.

Javët e fundit, janë shtuar njoftimet për aksidente vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara që lidhen me prodhimet e Toyotës. Vlerësohet se numri i të vdekurve ka arritur në 34 që nga viti 2000.

Qeveria amerikane po shikon mundësinë për t’i vënë gjoba Toyotës. (ze)

XS
SM
MD
LG