Lidhje

Filmi "The Oath", një dritare në botën e Al Kaidës


“The Oath” apo “Betimi”, një dokumentar i regjizores Laura Poitras, hap një dritare në botën e al-Kaidës, Osama bin Ladenit, qendrës së paraburgimit në Guantanamo Bay dhe imazhit të Shteteve të Bashkuara në Jemen. Filmi i xhiruar në Jemen dhe Guantanamo të Kubës, fitoi çmimin për kinematografinë më të mirë në Festivalin e Filmit Sundance dhe vjen në një kohë kur interesi mbi al-Kaidën në Jemen është rritur shumë.

Në filmin “Betimi” personazhi me emrin Abu Xhandal ka probleme. Ai është shofer taksie në kryeqytetin Sana të Jemenit, dhe mezi përballon jetesën.

Abu Xhandal thotë se ai ndjehet përgjegjës për fatin e Salimit. Ai e nxiti kunatin e tij t’i bashkohej al-Kaidës në vitin 1996. Në atë kohë, Abu Xhandal ishte truproja e Osama bin Ladenit, por ai thotë se Salimi nuk ishte terrorist. Abu Xhandal u shkëput nga Bin Ladeni në vitin 2000, pavarësisht se kishte bërë betimin e besnikërisë, dhe krijoi një jetë familjare.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, regjizorja Laura Poitras thotë se marrëdhënia mes Abu Xhandalit dhe Salim Hamdanit ka të bëjë me çështje më të rëndësishme.

“Kjo është një dramë familjare që përshkruan historinë e 11 shtatorit, të Guantanamos dhe marrjes në pyetje.”- thotë ajo.

Hamdan u arrestua në Afganistan dhe u transferua në Guantanamo pak pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Ai mbeti atje për shtatë vjet.

“Një muaj është si një vit këtu. Kam dhembje shpine dhe këmbësh dhe më kruhet lëkura nga mungesa e diellit.”- thotë ai.

Zonja Poitras nuk e tregon fytyrën e Hamdanit, por letrat dërguar familjes tregojnë vuajtjet e tij:
“Guantanamo është si një ëndërr e keqe. Është një ëndërr e keqe kombëtare. Ende nuk më besohet që Guantanamos po i mbushen 9 vjet. Si mund t’i mbajmë njerëzit jashtë ligjit?”

Avokati ushtarak mbrojtës, leitnant komandanti Brajën Mizer është dakort.

“Përdorimi i dëshmive të marra me forcë është një nga problemet themelore të komisioneve ushtarake.”

Në Jemen, Poitras është përqendruar tek Abu Xhandal. Ky njeri është i ndërlikuar, shumë fetar dhe karizmatik. Ai dënon sulmet terroriste që vrasin civilë të pavajshëm, por nuk ndjehet mirë për faktin që ka thyer betimin ndaj Bin Ladenit. Ai thotë se al-Kaida në Jemen është rritur nga një grup i vogël në një lëvizje të fortë sociale. Poitras e filmon Abu Xhandalin duke u intervistuar nga gazetari i Nju Jork Tajms Robert Uorth.

Abu Xhandalit nuk i pëlqen Amerika dhe politika e saj e jashtme, por ai ka frikë edhe nga al-Kaida e re. Abdul Gani al-Irjani, analist politik që këshillon Poitras, tha për Zërin e Amerikës se ai ka të njëjtën frikë.

“Brezi i dytë i al-Kaidës është më i rrezikshëm se i vjetri. Ata kanë dalë pas ndërhyrjes në Irak dhe janë të zemëruar. Ata i shohin të gjithë si armiq, edhe myslimanët e tjerë, apo jemenasit e tjerë.”

Zonja Poitras nuk mban qëndrim në mbështetje të asnjërës palë. Ajo thotë se ka treguar si janë gjërat me të vërtetë. Dokumentari i saj “Betimi” lidh rritjen e al-Kaidës në Jemen me zemërimin ndaj politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme dhe me ndalimin e debatueshëm të të dyshuarve për terrorizëm në Gjirin e Guantanamos.

















XS
SM
MD
LG