Lidhje

SHBA: Projekte për trena pasagjerësh me shpejtësi të lartë


Evropa dhe Azia kanë vite që përdorin trenat me shpejtësi të lartë për transportin e pasagjerëve, por Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në këtë drejtim, duke mbajtur në përdorim trena më të ngadaltë me përjashtim të linjës Uashington-Nju Jork-Boston.

Por duket se ky realitet do të ndryshojë. Presidenti Obama ka bërë të ditur planet për korridore të trafikut hekurudhor me shpejtësi të lartë në Shtetet e Bashkuara dhe ka akorduar një shumë fillestare prej 8 miliardë dollarësh për të filluar punën në këtë drejtim.

Ky projekt renditet si një ndër më të mëdhenjtë që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë prej vitesh në fushën e transportit

Ndërkaq në Shtetet e Bashkuara, treni më i shpejtë në përdorim, i njohur si Acela, arrin deri në 241 kilometra në orë dhe mbulon vetëm korridorin Uashington-Nju Jork-Boston.

Vetëm gjysma e trenave në Shtetet e Bashkuara arrijnë shpejtësinë 170 kilometra në orë.

Por transporti hekurudhor amerikan është në prag të ndryshimit, siç shpjegon Sekretari amerikan i Transportit Ray LaHood:

“Do të vijë dita kur të mund të udhëtojmë nga Los Anxhelos në San Francisko për më pak se 3 orë me shpejtësi 220 kilometra në orë.”

Linja hekurudhore me shpejtësi të lartë në Kaliforni mund të fillojë të ndërtohet në vitin 2012. Ekspertët thonë se linja mund të fillojë punën në vitin 2020.

Presidenti Obama bëri të ditur kohët e fundit një shumë prej 8 miliardë dollarësh nga fondet e stimulimit ekonomik për të krijuar linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë. Presidenti e prezantoi projektin si një mënyrë për hapjen e vendeve të punës.

John Risch punon për Sindikatën e Sektorit të Transportit, sindikata më e madhe që përfaqëson punonjësit e transportit hekurudhor në Shtetet e Bashkuara.

“Vetëm në Kaliforni mund të hapen deri në 160 mijë vende pune për të ndërtuar dy korridore hekurudhore.”- thotë ai

Projekti parashikon 13 korridore ndërmjet zonave me popullsi të dendur.

Por vetëm ato në Kaliforni dhe Florida do të jenë realisht me shpejtësi të lartë thotë Steve Kulm i kompanisë Amtrak, pasi në këto shtete do të shtrohen shina vetëm për trena të shpejtësisë së lartë:

“Ka një dallim ndërmjet transportit hekurudhor në Evropë e Azi e këtu në Amerikë. Në Evropë e Azi ka shina ekskluzive për trenat e shpejtësisë së lartë. Këtu në Shtetet e Bashkuara trenat e pasagjerëve dhe trenat e ngadaltë të transportit përdorin të njëjtat shina.”

Pjesa më e madhe e fondeve federale do të përdoren për të përmirësuar infrastrukturën dhe riparime në trenat e ngadaltë. Zoti Kulm thotë se treni i shpejtë Acela po konkuron aktualisht me avionët, duke thënë:

“Më parë, në linjën Uashington-Nju Jork, trenat kishin vetëm 20 për qind të tregut. Sot, Amtraku ka 61 për qind të tregut krahasuar me trafikun ajror. E njëjta gjendje shihet edhe në linjën Nju Jork – Boston.”

Grupet për mbrojtjen e mjedisit e kanë përshëndetur projektin. Howard Learner është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Politika dhe Ligjin e Mjedisit e cila mbështet biznese të padëmshme për mjedisin:

"Në llogaritjen milje-për-pasagjer, transporti hekurudhor është 3 herë më efiçent se transporti automobilistik, për sa i përket shpenzimit të karburantit, dhe 6 herë më efiçent se transporti ajror. Pra ka një sërë përfitimesh nga transporti hekurudhor në drejtim të pastërtisë së ajrit dhe mjedisit.”

John Risch i Sindikatës se Sektorit të Transportit thotë se ka edhe përfitime të tjera:

“Trenat e pasagjerëve janë forma më e sigurtë e transportit me përjashtim të ashensorit. Trenat nuk harxhojnë shumë lëndë djegëse, lehtësojnë trafikun rrugor dhe atë ajror dhe ulin varësinë tek nafta e huaj. Kjo e bën transportin hekurudhor më të sigurtë, më të pastër dhe më të padëmshëm për mjedisin.”

Kritikët thonë se shuma prej 8 miliardë dollarësh mjafton për të filluar por jo për të përfunduar projektet. Përkrahësit e planit thonë se ky hap i parë do të hedhë themelet e një sistemi të ri të transportit publik në Shtetet e Bashkuara. //mm//

XS
SM
MD
LG