Lidhje

SHBA: Program për parandalimin e humbjes së shtëpive në Filadelfia


Kur ekonomia amerikane u zhyt në recesion para 2 vjetësh, miliona amerikanë filluan të mos paguanin kreditë e shtëpive, duke i lënë shumë lagje qytetesh të braktisura. Por në qytetin e Filadelfias në shtetin e Pensilvanisë, njerëzit – kredidhënës e huamarrës - filluan përpjekjet për të gjetur një mënyrë që njerëzit të qendronin në shtëpitë e tyre.

Në orën 9 të mëngjesit, një sallë gjykate në Filadelfia është plot me njerëz që rrezikojnë të humbasin shtëpinë, por që shpresojnë që kjo të mos ndodhë.

Xhorxh Gordën pret me durim që të takohet me avokatin e kompanisë e cila i ka dhënë kredinë e shtëpisë.

“Fillimisht pata probleme sepse e mora kredi kur kisha punë por më vonë e humba punën. Sapo humba punën, çdo gjë filloi të shkonte mbprasht”.

Para 2 vjetësh, ndërsa Filadelfia përballej me një numër rekord të mos pagimit të kredive, zyrtarët e qytetit, avokatët e bankave dhe mbrojtësit e pronarëve të shtëpive u mblodhën në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Ata krijuan programin për parandalimin e humbjes së shtëpive në Filadelfia. Gjykatësja Anet Rizo mori pjesë në negociata.

“Bëhet fjalë për shqyrtimin e rasteve individuale, duke bërë të mundur komunikimin e drejtë për drejtë mes konsumatorëve dhe avokatëve të bankave kredidhënëse në përpjekje për të gjetur një farë marrëveshjeje”.

Kur bankat u dërgojnë letra paralajmërimi njerëzve për mos pagim të kredive, përkrahësit e këtyre të fundit i informojnë ata rreth të drejtave të tyre.

Në bazë të programit për parandalimin e humbjes së shtëpive, pronarët kanë të drejtë të takohen me kredidhënësin, për të ristrukturuar huanë e marrë. Këshilltarët e strehimit si Mari Kembëll janë gjithashtu të disponueshëm për të ndihmuar pronarët gjatë gjithë procesit.

Xhorxh Gordën ka gjetur punë. Synimi është që borxhi i tij të ristrukturohet në mënyrë që pagesa mujore të jetë jo më shumë se 31 për qind e të ardhurave.

Avokati i bankës, Kristofër Denardo, thotë se, duke pasur parasysh numrin e kredive të pa paguara, ristrukturimi i borxheve është në avantazhin e të gjitha palëve.

“Nëse jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje, ku pronari mban shtëpinë dhe banka paguhet në bazë të marrëveshjes, kjo është në dobinë e secilës palë”.

Pagesat, për shembull të avokatit, të inspektimit të pasurisë dhe gjobat e pagesave të vonuara duhen paguar nga pronari, por ato mund të eliminohen gjatë negociatave.

Pronarët e shtëpive përfaqësohen gjatë negociata nga avokatë vullnetarë.

Në korrik, Xhorxh Gordën aplikoi që të përfitonte nga programi, por ai thotë se banka e humbi dokumentin. Avokati i tij arriti që t’i jepte atij një muaj kohë.

“Vendimi për ty është që borxhi të ristrukturohet. Duhet të vish përsëri këtu më 25 shkurt”.

Megjithëse çështja e tij nuk u zgjidh menjëherë, Xhorxh Gordën është i çliruar.

Mari Kembëll është e sigurtë se një marrëveshje mund të arrihet.

“Ne do të bëjmë një farë kalkulimi në bazë të planit për ta bërë pagesën e shtëpisë të përballueshme, pra që pagesa të jetë jo më shumë se 31 për qind e të ardhurave bruto”.

Zyrtarët e Filadelfias thonë se programi për parandalimin e humbjes së shtëpive ka bërë që mbi 1 mijë e 900 pronarë shtëpish të shmangin humbjen e shtëpisë, ndërkohë që 3 mijë e 600 të tjerë po kalojnë nëpër këtë proces. (ze)

XS
SM
MD
LG