Lidhje

Garda Revolucionare e Iranit po akumulon pushtet të teprurar


Irani po reagon ashpër ndaj deklaratave të Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton se shteti persian po bëhet një diktaturë ushtarake. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, akuzoi zonjën Klinton se po përhap "gënjeshtra" dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë kthyer rajonin në një "depo armësh". Shumë analistë të Iranit në Uashington i mbështesin deklaratat e Sekretares Klinton.

Garda Revolucionare e Iranit u formua në vitin 1979 për të mbrojtur Revolucionin Islamik të Ajatollah Ruhollah Khomeinit nga ushtria e Shahut.

Tani Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari klinton thotë se garda po u hap rrugën sanksioneve, të propozuara nga Shtetet e Bashkuara, pasi Irani po vazhdon programin e tij për pasurimin e uraniumit.

Zonja Klinton bëri komente për Zërin e Amerikës mbi këtë çështje gjatë vizitës së saj të kohëve të fundit në Gjirin Persik.

"Duket se hapësira e vendim marrjes për klerikët dhe udhëheqjen politike po ngushtohet, por po zgjerohet për Gardën Revolucionare".

Garda ka akumuluar pushtet të konsiderueshëm politik dhe ekonomik vitet e fundit. Pjesa më e madhe e anëtarëve të kabinetit të Presidentit Mahmoud Ahmadinexhad përbëhet nga anëtarë të Gardës Revolucionare.

Disa analistë të Iranit në Shtetet e Bashkuara thonë se garda ka fituar më shumë ndikim për shkak të rolit të saj në shtypjen e protestave kundër rizgjedhjes së zotit Ahmadinexhad.

"Trupat e Gardës Revolucionare",
thotë gazetari Afshin Molavi i Fondacionit "New America" në Uashington, "kanë qënë fitimtarët në dhunën paszgjedhore. Në shumë forma, trupat e Gardës Revolucionare kanë forcuar pozitat gjatë 10 vjetëve të fundit".

Sipas pikpamjes së Sekretares së Shtetit Klinton:

"Ata janë të angazhuar në veprime komerciale, biznesi dhe investimesh në Iran. Ata zotërojnë institucionet kryesore si aeroporti, për shembull. Ata po bëjnë shumë gjëra që janë shqetësuese".


Por Ken Katzman, i Degës së Kërkimeve të Kongresit, nuk e shikon si kërcënim serioz gardën për momentin. Ai thotë se garda zbaton urdhërat e Ajatollahut.

"Ata bënë gjithçka donte udhëheqësi suprem. Nuk ka ndonjë fakt që të provojë së ata dolën nga repartet dhe bënë ndonjë gjë që udhëheqësi suprem nuk donte të bëhej".


Afshin Molavi është dakord me këtë argument. Ai thotë se udhëheqja e tanishme e gardës është e lidhur me Ajatollah Ali Khamenein, Udhëheqësin Suprem të Iranit. Por ai thotë se përçarjet e mundëshme në radhët e gardës do të përcaktojnë të ardhmen e Iranit.

"Do të ketë edhe nga anëtarë të gardës që do t'i kundërvihen udhëheqjes së tanishme. Këto mosmarrëveshje institucionale do të ishin të rëndësishme në lojën politike për të ardhmen e Iranit".

Disa analistë parashikojnë se Garda Revolucionare do t'i forcojë pozitat e saj dhe përplasja përfundimtare do të jetë mes gardës dhe miliona fëmijëve të irrituar të revolucionit 30-vjeçar islamik që përbëjnë tani 60 përqind të popullatës së Iranit. //iç//

XS
SM
MD
LG