Lidhje

BE dënon abuzimin me pasaportat


Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian dënuan me forcë përdorimin e pasaportave europiane nga personat që dyshohen për vrasjen e një komandanti militant palestinez në Emiratet e Bashkuara Arabe. Të 11 personat e dyshuar për vrasjen e palestinezit Mahmud al-Mabu muajin e kaluar në një hotel të Dubait, kishin pasaporta falso britanike, irlandeze, gjermane dhe franceze.

Autoritetet e Dubait thonë se personat që kryen vrasjen, përdorën pasaporta falso dhe ishin dërguar nga Izraeli. Kjo as nuk është konfirmuar dhe as nuk është mohuar nga Izraeli.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos tha se përdorimi i pasaportave falso në vrasjen e komandantit të Hamasit, Mahmud al-Mabu më 19 janar është një çështje shqetësuese për të gjithë anëtarët e BE-së.

"Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që pasaportat europiane, të cilat janë dokumente legale shumë rigoroze mund të përdoren në një mënyrë tjetër, për një qëllim tjetër".

Zoti Moratinos tha gjithashtu se Bashkimi Europian po ndërmjetëson mes Libisë dhe Zvicrës pasi Tripoli ndali dhënien e vizave për shumicën e shtetasve europianë, pas një mosmarrëveshjeje me Zvicrën.

''Shpresoj se si libianët edhe zviceranët, me ndihmën e Bashkimit Europian, do të bëjnë përpjekje. E kam diskutuar çështjen me kolegun tim libian, edhe gjermanët po ndihmojnë për të patur një rezultat të mirë''.

Ndërkohë, në deklaratën që bënë sot në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së nuk përmendin drejtpërdrejt Izraelin. Policia e Dubait thotë se vrasja u krye nga agjentët izraelitë dhe ka publikuar identitetet e 11 personave që udhëtonin me pasaporta falso.

Izraeli, i cili ndjek politikën e ruajtjes së sekretit për çështje të tilla delikate si vrasjet politike, tha përmes ministrit të tij të jashtëm Avigdor Lieberman se nuk ka arsye që vendi i tij të ketë qenë i përfshirë në këtë vrasje.

Në deklaratën e sotme, ministrat e BE-së dënonin edhe përdorimin e kartave falso të kreditit përmes vjedhjes së identitetit të shtetasve europianë.


XS
SM
MD
LG