Lidhje

Komplotuesi i sulmeve në Nju Jork pranon fajësinë


<!-- IMAGE -->

Një imigrant afganas i akuzuar se po komplotonte për të sulmuar me bomba qytetin e Nju Jorkut, ka pranuar fajin se kishte në plan të përdorte armë të shkatërrimit në masë. Ai gjithashtu ka pranuar akuzën se po komplotonte për të vrarë në një vend të huaj si dhe furnizim me materiale për një organizatë terroriste. Najibullajh Zazi pranoi akuzat të henën në një gjykatë të Nju Jorkut si pjesë e një marrëveshje të arritur me prokurorët.

Zazi u arrestua në Kolorado vitin e kaluar dhe u transferua në Nju Jork, ndaj të cilit u ngritën akuzat për komplotin në fjalë. Pasi pranoi fajin, Zazi i tha gjykatës se në gusht të vitit 2008, ai dhe të tjetë planifikuan që të shkojnë në Afganistan për tu bashkuar me talebanët në luftën kundër ushtrisë amerikane dhe forcave aleate.

Por në të kundërt, ata u rekrutuan dhe u trajnuan nga al-Kaida në Pakistan dhe ranë dakord që të ndermarrin misione vetvrasëse në Shtetet e Bashkuara. Zazi tha se ai planifikoi të përdorte kimikatet e marra nëpër dyqane për të ndertuar bomba që ti shpërthente në metronë e qytetit Manhaten në shtator të vitit 2009. Por ai u frikësua se autoritetet po e hetonin dhe zhduku materialet.

Hetimi i Zazit gjithashtu përfshin akuza kundër dy shokëve të tij të gjimnazit, babait dhe xhaxhait të tij. Gjatë një konference shtypi këtu në Washington pas pranimit të fajit të të akuzuarit terrorist, Prokurori i Përgjithshëm amerikan Erik Holder tha:

“Kjo përpjekje për të sulmuar në vendin tonë ishte reale. Po ndodhte dhe do të kishte qënë vdekjeprurëse".

Zazi përballet me burgim të përjetshëm kur të dënohet në muajin qershor. Avokati i tij dhe prokurorët sëbashku i kërkuan gjykatës që të mbante të fshehta detajet e marrëveshjes që çoi në pranimin e fajësisë nga Zazi. //kh//

XS
SM
MD
LG