Lidhje

Greqi: Policia përdor gaz lotsjellës kundër demonstruesve


Policia greke përdori gaz lotsjellës në Athinë kundër demonstruesve, pjesë e një proteste të madhe kundër masave drastike të qeverisë. Policia tha se përleshjet filluan kur dhjetra të rinj filluan të hidhnin gurë në qendër të kryeqytetit. Greva e sotme kombëtare ka paralizuar udhëtimet ajrore dhe shërbimet publike si dhe ka detyruar mbylljen e shkollave.

<!-- IMAGE -->

Dhuna zgjati rreth 30 minuta. Dhjetra të rinj morën pjesë në përleshje sporadike, duke qëlluar me gurë si dhe duke hedhur bojë të kuqe dhe shishe plastike në afërsi të parlamentit.

Policia tha se të paktën dy vetë u ndaluan dhe se disa dyqane u vandalizuan.

Disa dhjetra mijë punonjës të sektorit publik dhe atij privat janë hedhur në një protestë 24-orëshe kundër shkurtimeve të qeverisë që synojnë ta nxjerrin Greqinë nga kriza financiare.

Kjo është greva e parë e përgjithshme që nga ardhja në fuqi e qeverisë së qendrës së majtë.

Qytetarët mbetën sot thuajse pa asnjë formë transporti për të shkuar në punë ndërkohë që spitalet publikë u detyruan të përdorin personelin e emergjencës.

Dy sindikatat më të mëdha të vendit, e sektorit privat dhe e atij publik, i kundërshtojnë ashpër masat e qeverisë për shtrëngimin e rripit që u njoftuan javën e kaluar.

Zëdhënësi i sindikatës GSEE Stathis Anestis tha se nëqoftëse masat vihen në zbatim, papunësia do të rritet mjaft dhe kjo mund të çojë në trazira.

"Ne nuk mund të lejojmë më masa shtrënguese dhe shkurtime të tjera të pensioneve apo të sigurimeve shoqërore. Ne kërkojmë respektimin e të drejtave tona. Nevojat e popullit dhe të shoqërisë janë mbi fitimet dhe kërkesate tregut."

Masat e qeverisë përfshijnë ngrirjen e pagave, rritjen e taksave dhe ngritjen e moshës së pensionit. Deficiti buxhetor i Greqisë zinte rreth 13 përqind të Prodhimit Kombëtar Bruto në fund të vitit 2009, më shumë se 4 herë sa kufiri i lejuar nga Bashkimi Europian.

BE-ja i ka dhënë afat Greqisë deri në mes të marsit për të provuar se shkurtimet e saj po japin efekt para se të kërkojë veprime më të forta. Bashkimi Europian shqetësohet se problemet financiare të Greqisë mund të ndikojnë në vlerën e Euros.

Greva e sotme do të jetë një provë që do të tregojë se sa përkrahje gëzojnë sindikatat sepse anketat tregojnë një mbështetje të fortë për masat financiare të qeverisë. //ii

XS
SM
MD
LG