Lidhje

Klinton: SHBA kundër çdo lëvizje për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës


Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton u tha senatorëve dje se Shtetet e Bashkuara do të kundështojnë çdo lëvizje për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës dhe kërkojnë të shohin dyert e hapura për anëtarësimin e vendit në Nato dhe Bashkimin Evropian. Ka mendime mes serbëve të Bosnjes për shkëputje të pjesës etnike serbe nga shteti federativ. Korrespondenti i Zërit të Amerikës David Gollust njofton nga Departamenti i Shtetit.

Zonja Klinton tha se ndërsa çështja e Bosnjes dhe e të ardhmes së saj politike mund të jetë zbehur për nga rëndësia, ka ende punë të papërfunduar atje dhe çështje delikale që kërkojnë përgjigje.

Statusi i Bosnjes u ngri nga senatorët ndërsa zonja Klinton kaloi pjesën më të madhe të ditës dje duke dëshmuar para dy komisioneve të senatit, kryesisht për të mbrojtur buxhetin për marrëdhëniet me jashtë të administratës për vitin e ardhshëm.

Trupi ndërkombëtar që vëzhgon zbatimin e marrëveshjes së Daytonit që i dha fund konfliktit të viteve 1990 në Bosnje po takohet këtë javë në Sarajevë, mes tensioneve të vazhdueshme midis serbëve etnik gjysmë autoktonë dhe myslimanëve dhe pjesës etnike kroate të federatës.

Kryeministri i Republikës serbe të Bosnjes, Miloran Dodik ka kërkuar një referendum për vazhdimin e rolit ndërkombëtar në qeverisjen e federatës dhe sistemin gjyqësor që disa analistë shqetësohen se mund të jetë preludi i një referendumi për shkëputjen e serbëve.

Zonja Klinton i tha komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Bosnje-Hercegovina të qëndrojë e bashkuar dhe të shoh drejt Evropës dhe se dyert për një anëtarësim të mundshëm drejt Natos mbeten të hapura.

"Nuk duam të shohim asnjë lëvizje që do të ndante Bosnjen dhe jemi mjaft të shqetësuar për këtë. Pra ka një listë të gjatë shqetësimesh. Por hyrja në Nato, dhe unë po e shoh nga afër këtë çështje pasi ndaj të njëjtin shqetësim me ju – duam që Bosnje-Hercegovina të ndjehet e mirëpritur. Ata mund të jenë gati për anëtarësim. Por me pak më shumë përpjekje, do të jetë e mundur".

Zonja Klinton iu përgjigj pyetjes nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen e cila shprehu shqetësim se vendet anëtare të Natos dhe veçanërisht të Bashkimit Evropian mund të jenë të lodhura nga problemet e zgjerimit dhe po vonojnë ti ofrojnë Bosnjes rrugën drejt anëtarësimit.

Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po inkurajojnë BE-në të bëjë më shumë për t’i demonstruar Bosnje-Hercegovinës të mirat e anëtarësimit dhe të punojë me qeverinë e Sarajevës për ti treguar se çfarë duhet të bëjë për të qënë në gjendje të anëtarësohet.

Ajo tha se administrata Obama mbështet të njëjtën rrugë për Serbinë fqinje.

Më parë, në seancën dëgjimore në nënkomisionin e Senatit për kreditin buxhetor, senatori republikan George Voinoviç i tha zonjës Klinton se ishte tepër i shqetësuar pas një vizite në Ballkan javën e kaluar, pasi procesi i paqes në Bosnje mund të dështojë në se vendi nuk merr statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar në Natos dhe atë të lehtësimit të vizave për në Bashkimin Evropian.//rd//

XS
SM
MD
LG