Lidhje

Kthimi i deputetëve socialistë në parlamentin shqiptar


Deputetët e Partisë Socialiste të opozitës u larguan përsëri në grup nga salla e parlamentit një orë pasi bënë betimin sipas Kushtetutës. Ata morën pjesë në seancën e sotme plenare pas 6 muaj bojkoti në shenjë proteste ndaj parregullsive, sipas tyre, në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe hetim të materialeve zgjedhore.

Në fillim të seancës, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, uroi mirëseardhjen dhe drejtoi ceremonialin e betimit të deputetëve të Partisë Socialiste, ndërsa deputeti Gramoz Ruçi paraqiti dy projekt-ligje, që sipas opozitës, mund të zgjidhin krizën politike.

Projektligjet kërkojnë që komisionet hetimore parlamentare në tërësi të drejtohen gjithmonë nga opozita, dhe së dyti komisionit hetimor të zgjedhjeve t’i jepet e drejta që të hapë një apo disa kuti votimi dhe të shqyrtojë materialet zgjedhore.

Zoti Ruçi tha se opozita këmbëngul që të bëhet transparenca e materialeve zgjedhore, në mënyrë që të ndërpritet tradita e grabitjes së votave, dhe të fillojë një periudhë e re politike me zgjedhje të standarteve europiane.

Kryeministri Sali Berisha, duke iu përgjigjur kërkesave të zotit Ruçi, theksoi se shumica ishte e gatshme të bashkëpunonte në cdo hetim në përputhje me ligjet dhe kushtetutën. Ai i bëri thirrje opozitës që të zbatojë vendimet e gjykatave, sipas të cilave, kutitë e votimit nuk mund të hapen përderisa komisionerët nuk kanë paraqitur ankesa lidhur me përmbajtjen e tyre.

Deputetët e Partisë Socialiste u ngritën dhe dolën në grup nga salla e parlamentit, sapo kryetarja Topalli njoftoi vazhdimin e seancës sipas rendit të ditës.

XS
SM
MD
LG