Si pasojë e tërmetit të djeshëm në Kili janë vrarë më shumë se 700 njerëz dhe janë dëmtuar rreth 1.5 milion shtëpi, deklaroi presidentja e vendit Mishell Bashlet. Numri i të vdekurve pritet të shtohet.
Ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e të mbijetuarve, një ditë pas tërmetit që shkatërroi rajonin qëndror të Kilit.
Tërmeti me forcë 8.8 ballë, goditi vendin e Amerikës Jugore dje në orët e para të mëgjesit.
Shumë kilianë kanë qëndruar përjashta edhe gjatë natës nga frika e një seri paslëkundjesh, disa prej tyre deri në 6.9 ballë.
Ekipet e shpëtimit u përpoqën të nxirrnin nga gërmadhat rreth 100 persona të mbetur nën rrënojat e një pallati në qytetin Koncepshën, i dytë për nga madhësia në Kili. Operacionet kryesore të shpëtimit janë përqëndruar në këtë qytet, rreth 100 kilometra larg epiqendrës së tërmetit.
Pamjet e transmetuara në televizion tregonin gjithashtu se sot në qytet kanë filluar vjedhjet nëpër dyqanet e shkatërruara të ushqimeve dhe pajisjeve elektronike.
Presidentja Mishell Bashlet ka shpallur gjendjen e katastrofës në Kilin qendror, ku tërmeti shkatërroi banesa, përmbysi makina dhe shkatërroi linjat elektrike dhe ato telefonike. (ze)