Lidhje

Puna bamirëse e programit “Habitat for Humanity”


Një projekt strehimi në San Francisko u bën të mundur njerzve të blejnë shtëpi me çmim të përballueshëm me kredi pa interes. I vetmi sekret është që pronari i ardhshëm i shtëpisë duhet të ndihmojë gjatë procesit të ndërtimit të shtëpisë.

San Francisko është e njohur për urën e saj të artë, gjirin e saj tepër të kaltërt dhe arkitekturën e saj piktoreske të stilit viktoriane.

Por shumë banorë të zonës së gjirit nuk mund të banojnë në shtëpi të tilla dhe blerja e shtëpisë me një buxhet të vogël mund të duket si një ëndërr e largët.

Në qytetin Daly, në jug të San Franciskos, familja Ebora banon në një apartament të vogël, ku koshat e plehrave janë të rradhitur në hyrje.

Por së shpejti ata do të kenë shtëpinë e tyre. Programi Habitat for Humanity i bëri të mundur Rikante Ebora të blente shtëpi me çmim të përballueshëm dhe me kredi pa interes.

“Herën e parë që u zgjodha kandidat për një shtëpi të tillë u gëzova shumë megjithëse nuk e prisja që të bëhej realitet”, thotë ai.

Por kjo është e shoqëruar me një kusht: gjithë familja duhej të merrte pjesë në ndërtimin e shtëpisë.

Ndërsa Ebora kishte përvojë në ndërtim, fëmijët e tij nuk e kishin këtë përvojë dhe për ta ishte disi e vështirë.

Për Aiza Ebora, e bija e Rikarte Eboras, ideja për të mësuar disa aspekte të ndërtimit nuk ishte e lehtë.

“Fillimisht nuk e kisha idenë e ndërtimit dhe ishte e vështirë, por me kalimin e kohës mësova dhe tani disa aspekte janë të lehta për mua. Është punë e vështirë por me ndihmën e vullnetarëve të tjerë e kam më të lehtë”, thotë ajo.

Jo shumë larg shtëpisë së tyre të tanishme në qytetin Daly, shtëpia e re e familjes Ebora do të jetë një prej dy shtëpive me 3 dhoma gjumi që po ndërtohen krah për krah një familjeje tjetër.

Aiza dhe vëllai i saj vijnë këtu një herë në javë për të bërë punë të ndryshme. Bashkë me banorë të tjerë, ekipi i ndërtimit përbëhet nga dhjetra vullnetarë, kontraktues dhe anëtarë të personelit të programit Habitat for Humanity.

Vollnetarja An Sherbert përfaqëson kompaninë "Coldwell Banker" të pasurisë së patundshme, e cila mbështet çdo vit me vullnetarë programin Habitat for Humanity. Ajo thotë se i pëlqen të punojë me të tjerët, ndërsa ndihmon komunitetin.

“Çdo herë që vij këtu bëj gjëra të ndryshme. Një herë merrem me lyerje, një herë tjetër përzjej bojën, ose çimenton, ose punë të tjera të vogla”, thotë ajo.

Daun Adams, menaxhere e ndërtimit në qendrën e shtëpive në qytetin Daly, ka punuar me programin Habitat for Humanity për 9 vjet. Ajo thotë se është e kënaqur që ka mundësinë të punojë me vullnetarë, të cilët janë gjithë optimistë dhe mezi presin të mësojnë rreth profesionit të ndërtimit.

“Ne bashkëpunojmë me njerëz jo profesionistë në këtë fushë. Ata kontribuojnë me të gjitha mënyrat dhe punojnë shumë, e si rezultat ne ndërtojmë shtëpi me të njëjtën cilësi si kompamitë e tjera të ndërtimit. Ne u përmbahemi të njëjtat kodeve, ne kalojmë nëpër të njëjtat inspektime. Në përfundim, cilësia e shtëpive është e njëjtë me ato që ndërtohen nga të gjitha kompanitë e tjera”, thotë ajo.

Zonja Adams është përgjegjëse për t’u takuar me inspektorin e ndërtimit, i cili sigurohet që çdo aspekt i ndërtimit të shtëpisë përmbush standartet ligjore. Ajo thotë se ky proces ndihmon ata njerëz që nuk përballojnë dot blerjen e shtëpisë.

“Shtëpitë e ndërtuara nga programi Habitat për Humanity janë të veçanta sepse jepen me kredi pa interes, nuk duhen paguar ndonjë këst fillestar dhe dhe kostoja është shumë e ulët si rezultat i punës vullnetare, ndërkohë që vlera e shtëpisë është më e madhe. Këto shtëpi janë gjithashtu të veçanta sepse u japin mundësinë për t’u bërë pronarë shtëpish atyre njerzve që në të kundërtën nuk do ta kishin kurrë një mundësi të tillë”, thotë ajo.

Habitat for Humanity nuk cakton çmime për shtëpitë që ndërton, por llogarit pagesën mujore që ajo të mos jetë më shumë se 30 për qind e të ardhurave mujore të pronarëve në kohën e paraqitjes së kërkesës, ndërkohë që kredia është pa interes.

Që të kualifikohen për programin Habitat for Humanity, blerësit duhet ta kenë këtë shtëpinë e parë që blejnë, si dhe të përmbushin disa kërkesa për sa i përket të ardhurave.

Për një familje me 5 pjesëtarë si familja Ebora, të ardhurat duhet të jenë nga 48 mijë deri në 73 mijë dollar, ose 40 deri në 60 për qind të të ardhurave mesatare të kësaj zone.

Shtëpitë e përfunduara si kjo në qytetin Daly u krijon blerësve të shtëpive të ndërtuara nga programi Habitat for Humanity një ndjenjë krenarie.

Shumë prej këtyre shtëpive janë ndërtuar me panele diellore dhe janë lyer me ngjyra tërheqëse.

Ndërkohë, familja Ebora nuk mund të presë që të hyjë në shtëpinë e re, më të madhe se sa apartamenti me dy dhoma të vogla.

“Ka pasur raste në të kaluarën kur ne jetonim të ndarë sepse shtëpia me qira ishte shumë e vogël. Por me ndihmën e programit Habitat për Humanity, ne na u dha mundësia të kemi shtëpinë tonë. Është një mundësi e madhe që do të kemi shtëpinë tonë dhe e gjithë familja do të banorë së bashku”, thotë Rikarte tepër i gëzuar. (ze)

XS
SM
MD
LG