Lidhje

DASH: Kosova përballet me sfida për të luftuar trafikun e drogës


DASH: Kosova përballet me sfida për të luftuar trafikun e drogës
DASH: Kosova përballet me sfida për të luftuar trafikun e drogës

Raporti thotë se edhe pse Kosova është kryesisht një vend tranziti për drogën afgane me destinacion Evropën, evidenca të pakta nga policia e Kosovës sugjerojnë rritje të tregut të brendëshm të drogave. Kosova përballet me sfida në betejën kundër trafikut të narkotikëve, meqënëse kufijtë e saj janë porozë dhe në mesin e policisë kufitare dhe doganës ka elementë të korruptuar. Policia e Kosovës vazhdon përpjekjet në luftën kundër tregtisë së drogës por përballet me burime të kufizuara dhe nuk ka përparësi të madhe nga dega e anti-drogës, thotë raporti.

<!-- IMAGE -->

Raporti vijon se Kosova miratoi strategjinë kombëtare kundër drogave në korrik të vitit të kaluar, por Ministrisë së Punëve të Brendëshme ende i duhet të sigurojë burime për ta zbatuar plotësisht strategjinë. Kosova ende nuk është bërë anëtare e Konventes së vitit 1988 të Kombeve të Bashkuara për drogën. EULEX-i, ndryshe nga UNMIK-u, ka autoritet ekzekutiv tejet të kufizuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të japin asistencë teknike për zbatimin e ligjit, përfshi trajnimin dhe paisjet që do të ndihmojnë Kosovën që të luftojë me efikasitet trafikun e narkotikëve. Policisë kufitare të Kosovës, thotë raporti, i mungojnë mjetet më minimale, nderkohë që trafikantët e drogës përfitojnë nga kontrolli i dobët i kufirit në Kosovë.

Trafikantët shfrytëzojnë disa rrugë të cilat nuk kontrollohen nga policia. KFOR-i nuk e ka të mandatuar luftën kundër këtij trafiku.Informatat në konsumimin e brendëshëm të drogave janë grumbulluar nga UNICEF-i dhe organizata joqeveritare “Labyrith”, që pohojnë se ka një treg lokal në rritje dhe se përdorimi i drogave po shtohet.Ato shtojnë se nivelet e përdorimit të drogave mes adoleshentëve dhe të rinjëve të moshave universitare të cilët janë përdoruesit kryesorë, janë afër niveleve të shumicës së vendeve të Evropës Perëndimore.

Nuk ka përllogaritje të sakta mbi numrin e përdoruesve të drogës, por UNICEF-i thotë se mund të jenë rreth 20 mijë, shumica përdorues të heroinës, megjithëse duket se kokaina po njeh popullaritet. Raporti thotë se Kosova ka bërë përparim të kufizuar në nismat kundër drogave gjatë vitit 2009. Pjestarët e anti-drogës të policisë së Kosovës përballen me shumë sfida. Burimet e tyre janë të kufizuara dhe anti-droga nuk ka përparësi kryesore për qeverinë e Kosovës. Veç kësaj, të dhënat mbi kapjet e drogave, arrestimet dhe dënimet janë shumë të pabesueshme dhe jo konsekuente.

Është e veshtirë të përllogaritet se deri ku influencohet trafikimi i drogave nga korrupsioni. Nderkohë që nuk ka fakte për korrupsion të sistemit në Policinë e Kosovës apo doganë, ka njoftime për korrupsion individual, të cilin zyrtarët po përpiqen ta trajtojnë. Rastet e njoftuara përfshijnë policë që mbyllin njërin sy për trafikun e drogave ose pranojnë ryshfete për të lejuar kalimin e drogës në kufi.

Siç vë në dukje raporti, nuk ka njoftime që lenë të kuptosh se qeveria e Kosovës apo zyrtarët e saj të lartë inkurajojnë apo lehtësojnë prodhimin apo shpërndarjen a paligjshme të drogave apo substancave të tjera narkotike, apo nëse pastrojnë përfitimet nga shitja e drogës.

Megjithëse Kosova është kryesisht një vend tranziti për drogën afgane me destinacion Evropën, evidenca të pakta nga policia e Kosovës sugjerojnë një rritje të tregut të brendëshm. Të dhënat rreth drogës që futet në atë vend janë të dobëta ndërkohë që nuk ka fare të dhënat rreth drogës që del nga Kosova.

Shumica e drogës që futet në atë vend kalohet në sasi të vogla përmes njerëzve që kalojnë zonat e largëta kufitare në këmbë ose me mushkë. Disa vite më parë, shumica e trafikut të drogës vinte nga Maqedonia por tani vjen nga Shqipëria.

XS
SM
MD
LG